Shënohet Dita e të drejtave të pacientëve

Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë, duke iu bashkëngjitur Rrjetit Evropian të Shoqatave simotra, ka shënuar Ditën e të drejtave të pacientëve

Kjo ditë u shënua përmes një aktiviteti i cili kishte për qëllim informimin e qytetarëve me të drejtat që kanë në kujdesin shëndetësor.

Aktiviteti me moton “Pacientët kanë të drejta, kërkojeni ato”, është zhvilluar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku janë shfaqur poster informues me Kartën e të Drejtave të Pacientëve si një dokument themelor për të drejtat e pacientëve.

Po ashtu, për qytetarët janë shpërndarë edhe fletëpalosje me përmbajtje të të drejtave të tyre si pacientë dhe të drejtave që kanë në shëndetin seksual dhe riprodhues. Në kontakt me qytetarë, u vërejt një nevojë e madhe e promovimit të të drejtave dhe ky aksion ishte shumë i mirëpritur.

Me qëllim të njohjes së kontributit të gjithsecilit në shërbim të pacientëve, PRAK për çdo vit ndan çmimin e pacientit “Dora e Ngrohtë”, i cili këtë vit i është ndarë fshatit Dejnë të komunës së Rahovecit, të cilët në mënyrë të organizuar që nga viti 2002 dhurojnë gjak./21Media

Back to top button