“Ngritja e sigurisë në trafik dhe shënimi i Ditës Evropiane pa Viktima në Rrugë”

“Ngritja e sigurisë në trafik dhe shënimi i Ditës Evropiane pa Viktima në Rrugë”

Policia e Kosovës ka mbajtur sot konferencën me temën “Ngritja e sigurisë në trafik dhe shënimi i Ditës Evropiane pa Viktima në Rrugë”, në kuadër të projektit “EDWARD”. Konferencës i parapriu një debat me nxënësit e shkollës “28 Nëntori” në Prishtinë, i cili kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes për sjelljen në trafik.

Drejtori i Divizionit për komunikacion rrugor nga Policia e Kosovës, Jeton Rexhepi, duke folur rreth rëndësisë së ngritjes së nivelit të sigurisë në komunikacion, tha se sivjet janë 15 viktima më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ai tha se përmes këtyre aktiviteteve synohet ngritja e sigurisë në komunikacion, teksa bëri të ditur se pjesë e këtij aktiviteti janë 159 shkolla me të cilat Policia e Kosovës bashkëpunon në vazhdimësi.

“Në kuadër të aktiviteteve të Policisë së Kosovës janë involvuar 159 shkolla, ku ne do të mbajmë ligjërata dhe aktivitetet të tjera që kanë për qëllim sensibilizimin e të rinjve dhe përmes tyre të ndikojmë edhe te prindërit e tyre dhe të gjithë pjesëmarrësit e komunikacionit që gjendja të jete më e mirë çdo vit”, u shpreh Rexhepi.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe përfaqësuesi nga Këshilli për Siguri rrugore nga Ministria e Infrastrukturës, Fejzulla Mustafa i cili tha se qëllimi i projekti është ulja e numrit të aksidenteve me fatalitet.

“Ishte kënaqësi që të bisedojmë me nxënësit për sa i përket sigurisë rrugore, në cilësinë e këmbësorit por edhe të vozitësit. Bisedat ishin në një frymë të jashtëzakonshme të bashkëpunimit që të lidhemi në një trekëndësh arsimtar- prindër- fëmijë, për ta përmbyllur ciklin e sigurisë rrugore”, tha Mustafa.

Në emër të nxënësve foli Ajet Brajshori, drejtori i shkollës “28 Nëntori”, i cili falënderoi Policinë e Kosovës për punën e vazhdueshme, duke shtuar se rëndësia e projektit është që aksidentet të jenë zero.

“Ne si këshill në emër të prindërve, stafit tonë ju falënderojmë dhe uroj që mesazhet e kësaj tryeze të përçohen drejt fëmijëve, nxënësve dhe shoqërisë sonë, që të mos kemi raste sikur deri më tani, kronika të cilat na shoqërojnë çdo ditë”, u shpreh Brajshori.

Dita Evropiane pa Viktima në Rrugë është lansuar për herë të parë nga TISPOL-Rrjeti Evropian i Policisë Rrugore.

Synimi kryesor i kësaj dite është që asnjë person nuk duhet të vdesë në rrugët e Evropës më datë 26 shtator. Andaj, besohet se “Projekti EDWARD” mund të japë një kontribut të rëndësishëm në zvogëlimin e mëtejshëm të vdekjeve në rrugë.