Shënohet Dita Kundër Korrupsionit

Në kryeqytet janë paraparë aktivitete të shumta nga shoqëria civile

9 dhjetori në botë shënohet si Dita Kundër Korrupsionit, e kjo datë do të shënohet edhe në Kosovë.

Sot në kryeqytet janë paraparë aktivitete të ndryshme kundër korrupsionit nga organizatat e shoqërisë civile.

Në sheshin “Skënderbeu”, në ora 10:30, me mbështetje të USAID-it, do të zhvillohet aksioni simbolik “Rosa e verdhë viziton Kosovën”, për të përcjellur mesazhin për luftimin e korrupsionit. Ndërkaq, koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit” do të mbajë një takim me redaktorët e mediave, me ç’rast do të shpalosin agjendën e aktiviteteve kushtuar kësaj jave.

Kurse, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) do ta hapë ekspozitën me fotografi dhe video, të titulluar “Faji i korrupsionit”. Me këtë rast do të shpërblejë edhe tri vendet e para, në ceremoninë që do të mbahet në Parkun Arkeologjik të Kosovës në ora 12:00.

Ndërkaq, prej orës 13:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, Lëvizja FOL do ta shfaqë performancën “Hupja fijen korrupsionit”.

Kjo datë shënohet anembanë botës me aktivitete të ndryshme, sidomos në ato vende ku korrupsioni vlerësohet të jetë më i lartë.

Back to top button