Shfaqet dokumentari "Prokurorët"

Shfaqet dokumentari “Prokurorët”

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, zyra e UN Women në Kosovë dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë shfaqin dokumentarin “Prokurorët”, pasuar nga një diskutim me regjisoren e dokumentarit dhe njëkohësisht fituesen e çmimit “Emmy”, Leslie Thomas.

Shfaqja e dokumentarit do të hapet në orën 17:00, me fjalime hyrëse nga drejtoresha e Zyrës së UN Women, Vlora Nushi, me folës kryesor: ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip S.Kosnett, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt. Po ashtu, Jasmin Mesiç, prokuror i dhunës seksuale në konflikt nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Prokurorët” është dokumentar që tregon historinë e tre juristëve të përkushtuar që dhuna seksuale në konflikt të mos mbetet e pandëshkuar. Filmi u konceptua nga besimi se ligji është për të gjithë, veçanërisht për ata që kanë përjetuar krime të paimagjinueshme gjatë konfliktit – qoftë dje apo njëzet vite më parë. Ky dokumentar mbështet fushatën për t’i dhënë fund mosndëshkimit të autorëve të dhunës seksuale në konflikt, si abuzim i të drejtave të njeriut që për shekuj me radhë ka prekur njerëzit e të gjitha gjinive.