Aksion bamirësisë për nevojtarët

Aksion bamirësisë për nevojtarët

Pas 10 ditëve të Nënë Terezës, që filluan në ditën e lindjes së saj më 26 gusht dhe pas 9 ditësh me lutje e përshpritëri kushtuar së shenjtës në katedralen me emrin e saj, sot mbahen aktivitetet në vigjilje të festës së Shën Terezës.

Sot prej orës 10:00 në ambientet e katedrales do të zhvillohet aksioni i bamirësisë i Caritas Kosova në bashkëpunim me Katedralen Shën Nënë Tereza për personat nevojtar. Më këtë rast do të dhurohen artikuj ushqimor dhe veshmbathje.

Prej orës 18:00 do të mbahet sakramenti i rrëfimit, ndërsa prej orës 18:30 lutja e Rruzares dhe litanitë e Nënë Terezës.

Prej orës 19:00 mbahet mesha e shenjtë e vigjiljes dhe lutje pranë Altarit të Reliktit të Shën Nënë Tereza, të cilën do ta udhëheq Don Lush Gjergji, biografi i Nënë Terezës.

Ndërsa, ditëfesta liturgjike e Shën Nënë Terezës do të kremtohet solemnisht nesër në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë.

Prej orës 10:00 është paraparë pritja e besimtarëve, miqve dhe njerëzve vullnetmirë.

Prej orës 11:00 mbahet mesha solemne e festës në Katedrale, e udhëhequr nga Ipeshkvi i Dioqezës Prizren- Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji.

Sivjet, ditët e Nënë Terezës, nëntëditëshi përgatitor dhe devocioni ndaj saj, kanë qenë të kremtuara në mënyrë të veçantë duke e kujtuar 40-vjetorin e Çmimit Nobel për Paqe të Nënë Terezës, e cila e mori në vitin 1979 në Oslo.