63 vjeçari ishte pranuar me probleme me mushkëritë, pa temperaturë

63 vjeçari ishte pranuar me probleme me mushkëritë, pa temperaturë

Në Dibër është shënuar viktima e parë nga virusi korona. 63-vjeçari ndërroi jetë në Klinikën infektive në Shkup ku, siç informoi Ministri i Shëndetësisë, është pranuar më 17 mars pa temperaturë të lartë, por me probleme në mushkëri dhe i varur nga oksigjeni.

Në total numri i të prekurve me virusin korona në Dibër ka arritur në 40. Disa janë në qendrën klinike, kurse të tjerët trajtohen duke u mbikëqyrur nga mjekët në Dibër.

“Numri i të izoluarve nga 133 është rritur në 164. Të gjithë këta persona kontrollohen nga Ministria e Punëve të Brendshme dy herë në ditë që ata të mos lëvizin nga shtëpitë e tyre dhe ta përhapin virusin në qytetin tonë”, tha Duka.

Sa i përket gjendjes së sigurisë në qytet, ajo përgjithësisht është në rregull, informon Duka.

“Është bërë një takim ilegal në punktin që është vendosur në hyrje të qytetit, gjithashtu janë bërë edhe dy shkelje të tjera dhe për ata janë marrë masat përkatëse në prokurori dhe do të ndërmerren sanksione. Kemi pasur edhe dy vjedhje që janë zbuluar dhe janë në procedurë”, deklaroi Duka.

Edhe nga Ministria e Brendshme informojnë se gjatë 24 orëve të fundit është stabile situata e sigurisë në Dibër dhe Qendër Zhupë ku është shpallur gjendje krize.

Nga MPB thonë se pa pengesë realizohen masat për kontroll të automjeteve për udhëtarë për hyrje dhe dalje nga Dibra dhe Qendër Zhupa si dhe aktivitetet për futjen e ushqimit, ilaçeve, mjeteve për higjienë personale dhe nevoja tjera për qytetarët e dy komunave.

Kryetari i Komunës ndërkaq pohon se normalisht vazhdon edhe mirëmbajtjen e higjienës së qytetit por gjithashtu edhe shërbimi shëndetësor.

Sa i përket ndihmave që shkojnë në këto dy komuna, Duka informoi se shtabi operativ komunal nuk do të merret me menaxhimin dhe shpërndarjen e të njëjtave dhe se këtë do ta bëjnë shoqatat humanitare të Dibrës./21Media