"Heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies, inkurajon Serbinë të vazhdojë agresionin"

“Heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies, inkurajon Serbinë të vazhdojë agresionin”

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi përmes një postimi të bërë në facebook në lidhje me taksën është shprehur se heqja e taksës pa u hequr arsyet e vënies, inkurajon Serbinë të vazhdoj agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën.

“Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës mbi bazë të propozimit gjithpërfshirës të Martti Ahtisaarit, Kosova, përballë agresionit të vazhdueshëm të Serbisë, ka ndejkur rrugën e lëshimit pe, rrugën e ikjes nga ballafaqimi, duke mos i mbrojtur interesat e saj ashtu siç do t’i mbronte çdo shtet tjetër i pavarur dhe sovran”, ka shkruar Sherifi.

Ndër të tjera, ai është shprehur se çdo vendim që merret për pezullimin apo largimin e taksës është një kthim që qon përsëri në rrugën e njëjtë.

Prandaj, qoftë pezullimi, qoftë heqja e taksës 100% pa u hequr asnjë nga arsyet që e kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës për ta marrë këtë vendim është kthim mbrapa, kthim në rrugën e vjetër, në rrugën e konçesioneve të vazhdueshme ndaj Serbisë, rrugë e cila është dëshmuar si e gabuar. Ndjekja e rrugës së vjetër sjellë rezultatin e njëjtë. Madje, ajo rrugë vetëm sa do ta trimërojë Serbinë të vazhdojë me intenzitet të shtuar agresionin e gjithanshëm mbi Kosovën”, ka potencuar Sherifi.

Ai gjithasht ka shkruar se nëse atij i duhet të zgjedhë mes qortimit nga SHBA-të për shkak të mos heqjes së Taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, apo nënshtrimit ndaj Serbisë duke hequr taksën do ta zgjidhte të parën.

“Nëse do të më duhej të zgjidhja mes qortimit nga SHBA-të për shkak të mos heqjes së Taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, apo nënshtrimit ndaj Serbisë duke hequr taksën pa u hequr arsyet që kanë çuar në vënien e saj, pa u menduar fare do të zgjidhja të parën”, ka shkruar Bilalli në Facebook.

Pas fushatës së Serbisë për mos anëtarsimin e Kosovës në Interpol, Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018, kjo taksë ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj takse janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndërkohë, kryeministri, Ramush Haradinaj dje u ka dërguar një dokument ambasadorëve të Quintit dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, duke u treguar se taksën do ta largojë vetëm në rast të plotësimit të disa kushteve. Nga kushtet e cekura në pesë pikat e Haradinajt janë: inicimi i një konference ndërkombëtare ku do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, që duhet të përfundojë brenda 14 ditëve të konferencës. Ndërsa, Kryeparlamentari Kadri Veseli ka propozuar pezullimin e taksës për 120 ditë./21Media