Shiu nxjerr nga shtrati lumin Vjosa

Kjo është pamja e lumit pas reshjeve intensive të shiut

Lumi Vjosa doli nga shtrati në Novoselë duke rikthyer frikën e përmbytjeve pas reshjeve intensive të shiut. Autoritetet janë në gatishmëri, ndërsa situata në vijim thonë se do të varet nga prurjet që sipas tyre janë në rënie dhe batica që nuk lejon shkarkimin në det. Reshjet intensive të shiut shkaktuan problematika në disa zona të vendit.

Pranë Urës së Mifolit, uji arriti kuotën 6.34 metra e për pasojë doli nga shtrati pranë vendit ku mbahet tregu i gjësë së gjallë.

Situata u rikthyer banorëve të zonës kujtimet e përmbytjeve të herë pas hershme, por autoritetet vendore i qetësuan duke deklaruar se për momentin nuk ka rrezik.

Gjithçka varet nga prurjet e Lumit nga Gjirokastra ose Greqia, të cilat sipas prefektit të Vlorës janë në rënie.

Tre banesa buzë lumit janë më të rrezikuarat. Vendorët thonë se i kanë këshilluar për t’u larguar nga zona.

Batica sipas shtabit të emergjencave, po pengon rrjedhën normale të ujit të lumit, ndërsa këto pamje tregojnë daljen e detit në fshatin Delisuf.

Puna në portin e Vlorës mbetet e pezulluar për peshkarexhat dhe anijet e mesme, ndërsa tragetet pritet të udhëtojnë normalisht.

Ndërkohë dalja nga shtati i lumit Ishëm në Krujë ka përmbytur disa dhjetëra hektarë tokë në disa fshatra dhe ka rrethuar disa shtëpi.

Reshjet shkaktuan rrëshqitje gurësh e dherash në disa rrugë në të gjithë vendin, por pa krijuar probleme serioze për qarkullimin./oranews

Back to top button