Aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim

Aksioni do të vazhdojë edhe ditëve në vijim

Inspektorati Komunal në Ferizaj ka mbyllur 4 lokale që gjenden përballë shkollës fillore “Tefik Çanga”.

Këto lokale janë mbyllur për shkak të dyshimit se nuk i plotësojnë kushtet higjieno-sanitare, dokumentin e pëlqimeve si dhe librezën sanitare të këtyre bizneseve.

Gjatë inspektimit të këtyre lokaleve nga inspektorët sanitar dhe të tregut, ka rezultuar se ato nuk përmbushin kushtet minimalo-teknike higjieno-sanitare dhe sipas raportimeve nga banorët e zonës, ka dyshime edhe për zhvillimin e dukurive devijante.

Lidhur me këtë aksion, koordinatori i Inspektoratit Komunal, Ridvan Berisha, ka deklaruar se Inspektorati është më aktiv se asnjëherë më parë, kjo me mbështetjen direkte nga kryetari i komunës, Agim Aliu.

“Përkitazi me këto raste ne do të shqiptojmë gjoba administrative-mandatore. Presim që edhe organet e drejtësisë përkitazi me këto raste, pas hetimit, të shqiptojnë masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi në vendin tonë”, tha Berisha.

Ky aksion do të vazhdojë edhe ditëve në vijim në zona të tjera të qytetit si dhe me një koordinim më të gjerë edhe me mekanizma të tjerë institucional, gjegjësisht të sigurisë dhe të drejtësisë.