Shkalla e papunësisë në Kosovë 31%

Papunësia më e theksuar është te femrat

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e katërt të vitit 2018.

Anketa ka pasur shtrirje në 600 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 488 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 42.0%.

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore për tremujorin e katërt të 2018-së është 28.8%.

Punësimi më i lartë është te meshkujt (45.2%), ndërsa punësimi te femrat është 12.7%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.9 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit, me 44.1%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.0%; ndërtimtaria me 12.1%; prodhimi me 11.1%; si dhe arsimi me 10.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 33.8% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 66.2% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në tremujorin e katërt të 2018-së, shkalla e papunësisë është 31.4%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0%, krahasuar me meshkujt, 29.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 57.3%.

Sipas rezultateve të AFP-së, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.0%, me fokus të veçantë te femrat me 79.5 %, krahasuar me meshkujt, 36.1%./21Media

Back to top button