Shkatërrimi nga tërmeti, prokuroria nis hetime për ndërtimet e prishura

Pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit

Prokuroritë në Durrës, Krujë dhe Tiranë nisën hetime kryesisht për veprat “shpërdorim detyre”, “ndërtim i paligjshëm” dhe “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”. Ndërkohë në Kavajë e Lezhë vijojnë verifikimet. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi të hënën se prokuroritë në Durrës dhe Tiranë kishin nisur hetimet për godinat që u shembën pas tërmetit të datës 26 nëntor. Prokuoritë në dy qarqet më të prekura nga tërmeti, bënë me dije se procedimi penal kryesisht kishte nisur për veprat penale të “Ndërtimit pa leje”, “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Drejtuesja e Prokurorisë së Durrësit Anita Jella i tha BIRN se prokuroria kishte filluar hetimet në godinat në të cilat pati viktima dhe po ashtu do të hetoheshin edhe ndërtesat e tjera që pritej të prisheshin. Jella tha se policët gjyqësorë ishin të pranishëm në prishjen e godinave, po merrnin mostra të betonit dhe prova të tjera në ngrehina, ku kishte pasur viktima dhe do të ishin të pranishëm dhe bënin mbikqyrjen edhe të godinave të tjera që do të prisheshin.“Pa tjetër që po marim mostra betoni dhe po bëhet kqyrja. Oficerët e Policisë Gjyqësore po mbajnë procesverbale në çdo pallat që po prishet”, tha Jella, duke theksuar se kjo kishte nisur me godinat në të cilat pati viktima. Jella tha se prokuoria kishte mungesë të ekspetëve për shkak të situatës së emergjencës, por tha se kjo do të menaxhohej.

Në njoftim për shtyp prokuroria bëri me dije se dyshohej që pasojat e tërmetit të kishin “ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetëror të ngarkuar me mbikqyerjen e këtyre ndërtimeve”.

Hetimet po ashtu kanë nisur edhe në kryeqytet. “Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Tiranës.

Prokuroria tha se në vijim të veprimeve të kryera, do i kërkohej informacion “Bashkisë së Tiranës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga termeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore”.

Hetimet pas tërmetit po kryen edhe prokuroria e Krujës, ku pas tërmetit u shkaktuan 24 viktima në pallate që sipas banorëve kishin qenë të dëmtuara më parë. Në Krujë po hetohet edhe për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të mbrojtjes në punë”.Në njoftim prokuroria e Krujës bën me dije se i është kërkuar policisë që t’i trajtojë tre pallatet e shembura si skena krimi. “Po ashtu është vijuar puna në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë të cilët janë urdhëruar që të kryejnë të gjitha veprimet e duhura në vendgjarje, duke i orientuar t’i trajtojnë si vendngjarje ku ka ndodhur një krim dhe të kryhen në çdo rast veprimet hetimore perkatese”, thuhet në njoftim.

Prokuroria e Krujës njoftoi po ashtu edhe shtrirje të hetimit në ndërtesa të tjera të dëmtuara. Prokuroria bëri me dije se i është kërkuar Policisë Gjyqësore që të bëjë kqyrjen e vendgjarjeve dhe “Të marrin me cilesinë e provës një kopje të raportit të grupeve të konstatimit të dëmeve. Të sekuestrojnë menjëherë me cilesinë e provës, çdo dokumentacion lidhur me këto ndërtime (Projekt, leje ndertimi, akt kolaudimi etj.), në çdo institicion shtetëror ku ato ndodhen. Të merren vendime për kryerje të aktit të ekspertimit vlerësues për dëmin ekonomik në çdo rast”.

Ndërkohë në Lezhë dhe Kavaja prokuroritë bënë të ditur se nuk kishin filluar procedime kryesisht. Në komunikatat sqaruese bëhej me dije se nga verifikimet e para rezultonte se “pallatet e dëmtuara janë të ndërtuara gjatë viteve 70”. “Deri në këto momente nga Policia nuk rezulton se ka patur ndonjë akt konstatimi që ndonjë nga pallatet të jetë shpalluar i pabanueshëm pas tërmetit të datës 21.09.2019”, thuhet në njoftimin e prokurorisë së Lezhës.

Ndërkohë në Kavajë mësohet se nuk ka përfunduar ende verifikim. Prokuroria thotë se 4 pallate të dëmtuara janë të vjetra, ndërsa po kryehet verifikimi në 20 objekte të tjera./kallxo.com

Back to top button