Temperatura rekorde në Arktik

Temperatura rekorde në Arktik

Në Arktik këtë dimër janë regjistruar temperatura rekorde të larta, së paku për pesë gradë Celsius më të larta se ato mesatare, fakt ky i cili ka befasuar shkencëtarët. Niveli i akullit në rajon është tejet i ulët për këtë stinë të vitit. Shkencëtaret janë të brengosur ngase në këtë rajon, si pasojë e ndryshimeve klimatike, është regjistruar dimri më i ngrohtë që nga fillimi i matjeve.

Kjo thjeshtë është një çmenduri, deklaroi Mark Sereze, drejtori i Qendrës Kombëtare për të dhëna për Borën dhe Akullin në Kolorado, i cili ka përcjellë zhvillimet në Arktik që nga viti 1982.

Ai theksoi se kurrë më parë nuk ka parë ndonjë gjë të ngjashme me atë, që po ndodh tani në rajonin verior polar.

Ekspertët janë të mendimit se temperaturat e larta në rajon janë një pjesë e ciklit, të cilin e ka nxitur ngrohja globale. Pjesa tjetër e këtij procesi janë stuhitë dimërore, të cilat së fundi përfshinë Evropën dhe pjesët verilindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Stacioni më verior për matje, në cep të Grenlandës, gjatë shkurtit ka regjistruar mbi 60 orë, gjatë së cilave temperatura ka qenë në plus.

Niveli i akullit në Arktik në shkurt ka qenë për 160 mijë kilometra katror më i ulët në krahasim me të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

Fenomen i ngjashëm është vërejtur edhe në detin e Beringenit, në Paqësor. Është e pazakonshme që një fenomen i tillë të ndodhë në të dy anët e Arktikut, theksuan ekspertët./21Media