Vdiq shkencëtari i mirënjohur britanik, Stephen Hawking

Vdiq shkencëtari i mirënjohur britanik, Stephen Hawking

Shkencëtari i njohur britanik, Stephen Hawking, ka vdekur sot në mëngjes në shtëpinë e tij në afërsi të Cambridge, njoftoi familja e tij.

Hawking lindi në vitin 1942 në Oksford, kreu studimet për fizikë në Universitetin e Oksfordit, ndërsa disertacionin e doktoraturës për kozmologji e mbrojti në Universitetin e Cambridges.

Në vitin 1974 u bë anëtar i Shoqërisë Mbretërore në Londër, një prej shoqatave më të vjetra shkencore në botë, e më pas edhe profesor i matematikës dhe fizikës në Katedrën e Lukasit të Universitetit në Cambridges. Hawking njihet për kontributin që dha në fushën e kozmologjisë dhe të gravitacionit kuantik, në veçanti në kontekstin e vrimave të zeza dhe për librat e tij, në të cilat shpalosi teoritë e tij për gjithësinë.

Vepra e tij më e njohur është libri shkencorë, Historia e shkurtë e kohës, i cili ishte një prej librave më të shitur. Hawking hulumtoi vrimat e zeza, për të cilat konstatoi se me kohë humbin energjinë dhe zbehën, për tu zhdukur më pas në tërësi. Puna e tij ka kombinuar mekanikën kuantike me teorinë e relativitetit të Einsteinit, shkruan rtv21.tv

Në rini u sëmur nga skleroza amiotrofike laterale, sëmundje kjo paralizuese që shkakton dobësimin e muskujve. I palëvizshëm në karrocë, ai me kalimin e kohës humbi edhe aftësinë e të folurit dhe me rrethinën komunikonte me ndihmën e një sintetizuesi të zërit. Hawking inspiroi njerëzit me refuzimin e tij që t’i dorëzohet sëmundjes së rëndë.

Në moshën 22 vjeçare, kur ju konstatua sëmundja, mjekët prognozuan se ai do të jetojë vetëm disa vjet. Hawking i mohoi ata dhe jetoi më shumë se pesë dekada.

Është interesant të thuhet se Hawking vdiq sot, pra më 14 mars, në të njëjtën ditë kur 138 vjet më herët lindi Albert Einsteini, më saktë më 14 mars të vitit 1879.

Një kuriozitet tjetër ndërlidhet me datat e lindjes dhe të vdekjes së Hawkingut. Ka lindur të njëjtën ditë më 8 janar 1942, të njëjtën ditë kur para 300 vjetësh vdiq astronomi dhe filozofi Galileo Galilej.

Është interesant të thuhet se sot shënohet edhe dita e numrit Pi, konstantes matematikore, që është një nga më të rëndësishmet në matematikë./21Media