Të dielën zhvillohet ndeshja Shkëndija-Shkupi

Të dielën zhvillohet ndeshja Shkëndija-Shkupi

KF Shkëndija të dielën në kuadër të xhiros së 17-të përballet me Shkupin në Tetovë dhe kryesia ka vendosur që të ardhurat nga shitja e biletave të bashkohen me donacionet e lojtarëve dhe kryesisë për familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri.

Në një javë më shumë emocionale të ndikuar nga fatkeqësia natyrore që goditi Shqipërinë, skuadra kuqezi vazhdon punën për sfidën e rradhës kampionale. E diela sjellë xhiron e 17-të kur Shkëndija në Tetovë do të presë FC Shkupin, në një takim ku kuqezinjtë kërkojnë të kthehen në rrugën e fitores.

Përveç vlerës së pikëve në aspektin garues, takimi i të dielës është mundësi e mirë për bashkim të forcave bashkë me publikun në aksionin humanitar për grumbullimin e mjeteve për familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri. Ku me këtë rast klubi i ka ftuar të gjithë sportdashësit që të jenë të pranishëm në stadium sepse një biletë e shitur ka vlerë për të prekurit e tërmetit atje.

Futbollisti Armend Halimi ka deklaruar që ndeshja e së shtunës është e rëndësisë së veçantë për dy arsye.

“Takimi me Shkupin ka rëndësi të madhe garuese për ne dhe të gjithë jemi të bindur të japim më të mirën për t’u kthyer në rrugën e fitores. Besojmë të jemi në nivel, ndërsa shpresojmë të kemi mbështetjen e publikut. Një arsye shtesë për prani sa më të madhe të spektatorëve është aksioni humanitarë për grumbullimin e mjeteve për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti”, deklaroi ai.

Shqipëria në mëngjesin e 26 nëntorit u godit nga një tërmet vdekjeprurës me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter. Shifra e të vdekurve nga tërmeti i së martës në Shqipëri ka arritur në 49, ndërsa të lënduar janë qindra persona.