Shkëputja e kontratës me Z-Mobile, Gashi thotë se nuk do të ketë zgjidhje magjike

Kreshnik Gashi ishte ftuar për intervistim

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve në ARKEP, Kreshnik Gashi, i ftuar për intervistim në Komisionin hetimor parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ka kërkuar që të raportojë pa praninë e mediave.

“Jo që kemi diçka konfidenciale, por që ende nuk është marrë ndonjë vendim. Mendoj që deklarimet tona mund të keqpërdoren, në dëm të Telekomit të Kosovës. Kërkoj seancë të mbyllur, nuk ka asgjë të fshehur. Nëse dëshirojmë të jemi korrekt, komisioni nuk mund të të thërras për gjëra që nuk kanë ndodhur ende, për çështje hipotetike”, tha Gashi.

Anëtarët e komisionit kanë kundërshtuar që komisioni të mbahet i mbyllur, përderisa nuk ka diçka të fshehur.

Gjatë intervistimit, kryetari i komisionit Visar Ymeri ka pyetur Gashin se cilët do të jenë hapat që do të ndërmerren në vazhdim nga ARKEP pas shkëputjes së kontratës së Telekomit me Z-Mobile.

Sipas Gashit, për 220 mijë klientët e Z-Mobile, pas kontratës së shkëputur duhet të ketë vijimësi të shërbimeve me operatorë të rrethit.

“ARKEP nuk ka pasur mundësi të ndërhyjë paraprakisht, rregullatori nuk ka ndërhyrë deri më 30 korrik. Jemi informuar që ekziston faza e tranzicionit, për klientët që kanë qenë deri atëherë te Z-Mobile. Aktualisht, titullar i klientëve është Z-Mobile, sepse ka kontratë, por kjo nuk e imponon gjithsesi bashkëpunimin në mes të këtyre dy kompanive, por nuk duhet bërë gabime”, ka thënë ai.

Sa i përket kërkesës së Telekomit për kthimin e 300 mijë numrave që aktualisht posedon Z-Mobile, Gashi kërkoi të respektohet Ligji për komunikime elektronike.

“Ligji mund të parasheh edhe kthimin e numrave. Ne jemi në një situatë unike”, tha ai.

Gashi mes tjerash ka thënë se është kohë fushate, duke aluduar në atë se po bëhet fushatë për shpëtimin e Telekomit.

Derisa Gashi ka përsëritur që këto deklarime mund të ndikojnë në proces, sipas anëtarit të komisionit Armend Zemaj, ai mund të jetë i shantazhuar nga dikush.

Sipas Zemajt në bazë të asaj që thotë Gashi, Z-Mobile vazhdon të jetë pronar i klientelës, edhe pas përfundimit të kontratës.

Por, Gashi tha se shërbimet nuk mund të ofrohen nga dikush që nuk ka shërbim.

“Telekomi nuk ka aplikuar ende për atë memoracion. Do të kërkojmë ndihmë edhe prej operatorëve në botë. Nuk do të ketë zgjidhje magjike”, tha ai.

Deputeti Bekim Haxhiu ka kërkuar të di se sa zyrtarë të ARKEP-it i kanë familjarët e tyre të punësuar në Z-Mobile dhe se nëse është e vërtetë se shefi për komunikime elektronike në ARKEP është i punësuar.

Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve në ARKEP, Kreshnik Gashi, tha se nuk e di nëse ka konflikt të interesit dhe po ashtu nuk është në dijeni se sa zyrtarë punojnë në Z-Mobile, duke kërkuar që këtë çështje të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme.

“Nuk mund të marrim vendime në mënyrë arbitrare. Unë nuk e di sa zyrtarë punojnë, nuk di që ka konflikt interesi. Personalisht nuk e kam askënd të punësuar dhe nuk më takon mua të flas për familjarët e tjerëve”, tha Gashi.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se dyshon që shefi i ARKEP-it është duke punuar në favor të Z-Mobile, por një gjë të tillë ka mohuar Kreshnik Gashi.

Back to top button