Filloristët e Kumanovës këndojnë në gjuhën amtare

Filloristët e Kumanovës këndojnë në gjuhën amtare

Vlera me Bleronin kanë ardhur të regjistrohen në klasë e parë të muzikës. Që nga ky vit i ri shkollor, ata do të mund të mësojnë edhe në gjuhën shqipe, në Shkollën e ulët të muzikës “Pançe Peshev” në Kumanovë. Vëlla e motër janë duke u regjistruar në afatin e dytë të shtatorit, ku prej 85 nxënësve të klasës së parë, në një paralele të re do të pranohen edhe 35 nxënës për mësim në gjuhën shqipe.

Ajo përderisa luan në piano, tregon se tani mund të këndojë në shqip edhe këngët e saj të preferuara.

“Unë jam shumë e lumtur, njëherit jam edhe shumë e emocionuar që jam nxënëse në shkollën e muzikës, sepse ne fëmijët e kemi pritur me padurim që të hapet një paralele shqipe, në mënyrë që ne të shprehim talentin tonë në ndonjë instrument”,tha Vlera Bajrami, nxënëse.

Drejtori artistik i Shoqatës kulturore-artistike “Mrika” nga Kumanova, thotë se me hapjen e një paralele në klasën e parë është dhënë mbështetje për punësimin e një profesori shqiptar. Osmani thotë se është bërë një sakrificë e madhe për hapjen e kësaj paraleleje, si nga shoqata e tyre ashtu edhe nga prindërit artdashës. Andaj, me ardhjen e profesorit të ri shqiptar, ai thotë se edhe nxënësit duhet të përzgjidhen.

“Sa i përket nxënësve normalisht do të ketë një testim, apo një zgjedhje komisioni, i cili do të përcaktoj se kush ka prirje nga nxënësit që të kualifikohet. Do të thotë se do të ketë një lloj filtrimi për talentet e nxënësve që do të regjistrohen”, tha Ramadan Osmani, Sh.K.A. “Mrika”.

Ndonëse nga Ministria e Arsimit ende nuk ka arritur pëlqimi në Kumanovë, drejtoresha e kësaj shkolle të muzikës, Svetllana Trajkovska tha se vendimi është marrë për hapjen e paraleles së parë në gjuhën shqipe dhe se për të mbushur këtë klasë afati është deri më 13 shtator.

“Nga ky vit shkollor do të hapim një paralele për mësim në gjuhën shqipe, procedura është në vijim, jemi në pritje të pëlqimit nga Ministria e Arsimit. Ndryshe, mësimi do të zhvillohet në grupe në lëndët solfezho dhe teorinë e muzikës”, tha Svetllana Trajkovska, Drejtoresha në SH.U.M. “Pançe Peshev”.

Sipas drejtoreshës Trajkovska, në shqip do të fillojnë të mësojnë vetëm nga klasa e parë, kurse 268 nxënësit e shkollës së ulët, në mesin e të cilëve edhe fëmijë shqiptar nga klasa e dytë deri në të nëntën do të vijojnë mësimet e instrumenteve dhe të këndojnë në gjuhen maqedonase.

Për hapjen e kësaj paralele, në pranverë vendimi është marrë nga Ministria e Arsimit në koordinim me sektorin e arsimit të Komunës së Kumanovës, pas protestave të artistëve me nxënësit dhe familjarët para godinës së Komunës./21Media