Shkon në katër numri i të vdekurve nga gripi sezonal

Dy të vdekur brenda 24 orëve të fundit

Influenca A apo gripi sezonal gjatë 24 orëve të fundit ka marrë edhe dy jetë, duke ngritur kështu numrin e të vdekurve në 4.

Këtë e ka konfirmuar në një bisedë telefonike për portalin rtv21.tv infektologu i QKUK-së, Valbon Krasniqi.

Nga 4 të vdekurit që janë prekur nga gripi sezonal, Krasniqi ka bërë të ditur se 3 prej tyre kanë pasur edhe probleme tjera shëndetësore.

Në fund të vitit të kaluar një i moshuar 80 vjeçar ka ndërruar jetë. Sipas Krasniqit personi në fjalë kishte edhe probleme me mushkëri para prekjes nga gripi.

Rast i njëjtë kishte ndodhur edhe me një grua 50 vjeçare që ka ndërruar jetë në fillim të janarit. Përpos gripit, ajo kishte edhe probleme me mushkëritë.

Sa i përket vajzës e lindur në vitin 1992 që ka ndërruar jetë dje në mesditë, Krasniqi bëri të ditur se paraprakisht e njëjta kishte pasur një intervenim në abdomen, por se gjithashtu ishte e sëmurë me influencën A.

Sa i përket burrit i lindur në vitin 1974, e që ka ndërruar jetë sot paradite, infektologu Krasniqi deklaroi se përpos gripit sezonal nuk kishte ndonjë sëmundje tjetër, dhe se familja nuk ka raportuar për ndonjë histori të sëmundjeve të tij./21Media

Back to top button