Parulla janë shkruar edhe te Gjykata Themelore në Gjakovë

Parulla janë shkruar edhe te Gjykata Themelore në Gjakovë

lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se janë arrestuar 7 aktivistë të saj derisa shkruanin parulla kundër dhunës ndaj grave.

“Policia e Kosovës, e paaftë dhe e dështuar për t’i mbrojtur gratë nga dhuna dhe vrasjet ka arrestuar mbrëmë pas mesnate shtatë aktiviste e aktivistë deri sa po shkruanin parrulla në Gjakovë mbi vrasjen e grave. Parulla ‘Gratë dhunohen, policia flen’ është tregues për përkushtimin e institucioneve ndaj vetë qytetarëve të saj. Institucionet flejnë kur duhet të kryejnë punën e tyre dhe tregohen syçelë për t‘i pengur aktivistet që kërkojnë drejtësi”, ka reaguar VV.

Aktivistët e arrestuar siç njofton VV janë: Arlinda Gashi, Guxim Krasniqi, Uran Hasani, Kujtim Hasani, Ndriçim Berberi dhe Gerolld Nikoliqi.

Sipas VV-së, parullat janë shkruar edhe te Gjykata Themelore në Gjakovë dhe theksojnë se do të mbajnë përgjegjës komplet sistemin e drejtësisë për këto vrasje.

“Shteti jo vetëm që nuk bën asgjë t’i parandalojë por as pasi ndodhë krimi veprojnë sipas drejtësisë. Ne nuk mund të presim e shohim se si emrat e grave rrisin listat e vrasjeve. Prandaj sot në Gjakovë protestojmë për drejtësinë, për jetën, kundër dhunës, kundër mizogjinsë, kundër diskriminimeve”, njofton më tutje VV.

Ndryshe, mbrëmjen e 7 gushtit në Brekoc të Gjakovës janë vrarë nënë e bijë, Valbona Marku-Ndrecaj dhe vajza e saj 9  vjeçe. Lidhur me këtë rast kanë reaguar krerët e lartë vendor.

Sot, Shoqëria Civile e Gjakovës në përkrahje nga Rrjeti i Grave të Kosovës, sot në orën 11:00 do të marshojnë prej Parkut të Qytetit deri tek Çarshia e vogël për të kundërshtuar vrasjen e gruas 40 vjeçare dhe vajzës së saj, në Brekoc të Gjakovës dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë./21Media