Kurc fton qytetarët të votojnë “pro” në referendum

Kurc fton qytetarët të votojnë “pro” në referendum

U prit me nderime të larta, por me flamurin e gabuar. Kancelari austriak Sebastian Kurc erdhi në Maqedoni për të mbështetur referendumin dhe Marrëveshjen e Prespës, por protokolli qeveritar kishte ngatërruar flamurin e Austrisë më atë të Letonisë. Për këtë Qeveria kërkoi falje publike, duke thënë se gabimi është bërë pa qëllim, ngaqë flamujt janë shumë të ngjashëm në dimensione dhe në ngjyra. Kancelari austriak, vendi i të cilit do të udhëheqë me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit, tha se të gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor vendin e kanë në BE.

“Bashkimi Evropian do të jetë i kompletuar kur në të, të jetë integruar Ballkani Perëndimor. Zgjidhja e çështjes së emrit për Maqedoninë përbën shans të madh për të arritur dinamikën për Maqedoninë si dhe për të gjithë rajonin” deklaroi Kancelari austriak, Sebastian Kurc.

Të njëjtin mesazh Kurc tha se do t’ia përcjellë edhe liderit të opozitës VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski. U takuan, por Mickoski, si zakonisht, as sot nuk parapëlqeu të flasë para mediave.

Përmes kumtesës nga VMRO-DPMNE treguan se Mikckoski i ka thënë kancelarit se Marrëveshja mbetet e papranueshme. Gjithashtu lideri opozitar është shprehur i gatshëm për bashkëpunime më të thella mes partive të tyre simotra në kuadër të Partisë Popullore Evropiane. Për dallim nga Mickoski që ende s’po merr guximin të shprehet për referendumin, Sebastian Kurc sot u kërkoi qytetarëve që ta mbështesin të njëjtin, madje dhe të votojnë “pro”. Nga ana tjetër, Kryeministri Zaev, përveç se është i bindur për referendum të suksesshëm në Maqedoni, ka shpresa të mëdha edhe për suksesin e ratifikimit të Marrëveshjes në Parlamentin grek.

“Unë besoj se të gjithë ne, të dy shtetet mike, do ta kryejnë punën e tyre. I besoj kryeministrit Aleksis Cipras dhe ministrit Nikos Kocijas, që pas procesit në Maqedoni, edhe në Greqi Kuvendi do të votojë, dhe kam arsye të besoj sepse jam i bindur se shumica e qytetarëve në Greqi, besojnë se kjo punë është e mirë për Greqinë, rajonin dhe gjithë Bashkimin Evropian” deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Kurc gjithashtu u takua edhe me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti me të cilin biseduan për suksesin e referendumit.

“Ka përkrahje të plotë jo vetëm nga partitë politike në vend por edhe nga komuniteti ndërkombëtar sepse janë ngjarje dhe zhvillime të dobishme për të gjithë rajonin” deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti./21Media