Hoxha: Bizneset tregtare përfshihen më së shumti në evazion fiskal

Hoxha: Bizneset tregtare përfshihen më së shumti në evazion fiskal

Evazioni fiskal në Kosovë nga përfaqësues të bizneseve, konsiderohet të ketë marrë përmasa shqetësuese, në veçanti në veri të vendit. Si e tillë, kjo dukuri thuhet të ketë dëmtuar buxhetin e Kosovës për miliona euro dhe njëherësh ka krijuar konkurrencë të padrejtë në treg.

Për të hetuar dhe identifikuar të gjitha rastet e bizneseve, të cilat në një formë mundohen t’iu shmangen tatimeve, autoritetet në Kosovë thonë të kenë shtuar aktivitetet e tyre.

Përfaqësues të Administratës Tatimore të Kosovës thonë se evazion fiskal ka në të gjitha anët e Kosovës, porse, sipas tyre, mendohet se ky aktivitet është i shtrirë më së shumti në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Hamdi Hoxha, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tregon se për herë të parë kanë realizuar një hetim me përmasa të hetimit tatimor në Zubin Potok, në veri të Kosovës, ku edhe kanë identifikuar një rast të evazionit fiskal, derisa disa raste të tjera janë në hetim e sipër.“Kohëve të fundit kemi shtuar aktivitetet për të hetuar dhe identifikuar të gjitha rastet që ndikojnë në evazion fiskal. Në bazë të autorizimit të Prokurorisë, javën e kaluar kemi pasur një aktivitet. Nga ai aktivitet, ka rezultuar të sekuestrohen prova materiale që dyshohet për shmangie tatimore ku vlera e transaksioneve fiktive që mendohet se kanë ndodhur vetëm në këtë rast, është rreth 4 milionë euro. Hetuesit tatimorë janë duke bërë punën e tyre dhe sapo të kemi një raport final, do të jetë i informuar opinioni. Ky rast ka pasur të bëjë transaksione fiktive që nënkupton lëshimin e faturave pa ndodhur qarkullimi i mallrave dhe pagesave, pra vetëm lëshimi i faturave pa aktivitet ekonomik”, thekson Hoxha.

Bizneset që përfshihen më së shumti në evazion fiskal, thotë Hoxha, janë bizneset tregtare dhe bizneset që merren me aktivitete të ndryshme, por të cilat kanë si synim të sigurojnë dokumentacion jovalid që t’i shmangen tatimit.

Hoxha thotë se janë shumë aktivë në terren për të parandaluar dhe luftuar ekonominë joformale, që si e tillë e dëmton edhe sektorin publik dhe atë privat. Ai thotë se nëpër vite ka pasur rënie të evazionit fiskal dhe kjo sipas tij, pasqyrohet më së miri në rritjen e të hyrave tatimore. “Nga viti në vit kemi progres të lartë të të hyrave tatimore. Derisa në periudhën janar-mars 2017 kemi pasur 94 milionë euro të hyra në periudhën e njëjtë të këtij viti kemi mbi 108 milionë euro të hyra tatimore”, bën të ditur Hoxha.

Në raportet vendore dhe ndërkombëtare në vazhdimësi theksohet se ekonomia joligjore në Kosovë është më shumë se 30 për qind të bruto produktit vendor, që përkthyer në shifra është rreth 1.8 miliard euro në vit.

Përfaqësues të bizneseve thonë se disa afarist në Kosovë, në veçanti në veri të vendit, vazhdojnë t’u shmangen obligimeve tatimore, duke krijuar evazioni fiskal, krim të organizuar dhe dëmtim të buxhetit të Kosovës, njëherësh çrregullim të tregut të lirë kosovar.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se evazioni fiskal është në përmasa shqetësuese, në veçanti në veri të vendit. “Oda Ekonomike e Kosovës ka alarmuar për këtë dukuri. Evazioni fiskal për fat keq është në rritje e sipër. Sfida më e madhe është veriu i Kosovës dhe partneriteti i kompanive nga veriu me ato në brendi të Kosovës. Dhe, në këtë drejtim, është duke u dëmtuar konkurrenca e drejtë në të bërit biznes dhe mbi të gjitha është duke u dëmtuar mundësia e rritjes së atraktivitetit të Kosovës për investitorë të huaj”, thotë Gërxhaliu.

Në anën tjetër, profesori i Ekonomisë, Berim Ramosaj, thotë se Administrata Tatimore e Kosovës ka mungesë të kapaciteteve për të rritur nivelin e luftimit të evazionit fiskal. Edhe sipas Ramosajt, evazioni fiskal është i pranishëm gati në të gjitha pjesët e vendit, por më së shumti në veri. “Evazioni fiskal në veri të Kosovës është në nivel të lartë. Atje ka shkallë të lartë të informalitetit, ka shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ka shumë biznese, qoftë shqiptare dhe serbe, që janë të lidhura në mes vete dhe bëjnë veprime të tilla të evazionit fiskal, në veçanti kur bëhet fjalë për derivatet e naftës”, thotë Ramosaj.

Ramosaj shton se sfida më e madhe e sistemit financiar në Kosovë është ekonomia joformale. “Duke marrë parasysh këto probleme dhe shumë të tjera, mendoj që terapia qëndron edhe në luftimin e korrupsionit, por dhe rregullimin strikt dhe definimin e qartë të detyrave, qoftë në nivel të ATK-së, qoftë në nivel të prokurimit dhe në nivel qendër, sepse shihet që bizneset e mëdha janë duke u ikur më së shumti tatimeve”, vlerëson Ramosaj.

Përfaqësues të biznesit në Kosovë, ndërkohë, kritikojnë autoritetet për mospajisje të të gjitha bizneseve me arka fiskale.

Safet Gërxhaliu thotë se vetë fakti që edhe më tutje procesi i vendosjes së arkave fiskale, proces i filluar në vitin 2010, nuk është i përmbaruar dëshmon edhe njëherë se sa i lartë mund të jetë joformaliteti në Kosovë. “Ne kemi alarmuar institucionet e Kosovës. Kemi treguar se nëse bisedon me Odat Ekonomike homologe në rajon dhe më gjerë, shihet se evidenca e eksporteve dhe importeve që hyjnë në Kosovë është në diskrepancë shumë të madhe dhe e tërë kjo dëshmon se është duke u punuar me letra të dyfishta. Veriu i Kosovës që është shndërruar në një vrimë të zezë, jo vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin, është duke u manipuluar me të dhëna, është duke u dëmtuar buxheti dhe e tërë kjo në mënyrë direkte ka ngulfatur zhvillimin ekonomik dhe sektorin provat”, thotë Gërxhaliu.

Vendosja e arkave fiskale, nga Administrata Tatimore e Kosovës ishte bërë me qëllim të shmangies së evazionit fiskal, pasi potenciali i këtij sistemi është që të regjistrojë të gjitha hyrjet dhe shitjet në dyqan.

Zëvendësdrejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Hamdi Hoxha, thotë se procesi i fiskalizimit është një proces që ka shënuar progres dhe se është një numër i madh i bizneseve që tashmë është pajisur me arka fiskale. “Kemi pasur progres të mirë në fiskalizimin e bizneseve, në veçanti bizneseve që merren me tregtinë e shitjes së karburanteve. Në masën më të madhe, këto biznese janë fiskalizuar me 90 për qind të qarkullimit të përgjithshëm, ka mbetur një numër i bizneseve që janë në zonat rurale. Mbi 35 mijë arka fiskale janë instaluar, derisa numri i bizneseve të fiskalizuara arrin në është 27 mijë. Po ashtu, janë edhe disa biznese të cilat me Ligj nuk i nënshtrohen fiskalizimit”, shpjegon Hoxha.

Administrata Tatimore dhe Doganat e Kosovës janë kontribuuesit kryesorë të buxhetit të shtetit, i cili në këtë vit kap shifrën e afër 2 miliardë eurove.