Shoqata e Gjinekologëve për rastin e të miturës: Gjinekologu po akuzohet padrejtësisht

Reagimi i shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve

Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve ka reaguar lidhur me rastin e të miturës nga Drenasi, e cila pas keqtrajtimit seksual nga hetuesi policor kishte mbetur shtatzënë, ndërsa kishte kryer abort në klinikën private të gjinekologut, Fehmi Ahmeti.

Sipas kësaj shoqate, gjinekologu Ahmeti është shënjestruar pa të drejtë, pasiqë nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore në këtë rast.

“Ju informojmë se bazuar në Ligjin për Ndërprerjen e Shtatzënisë Nr. 03/L-110 të publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës: Çdo grua mbi 18 vjeç ka të drejtë të vendosë lirshëm për ndërprerjen e shtatzënisë sipas kritereve të këtij ligji. Ndërprerja e shtatzënisë mund të bëhet deri në fund të javës së dhjetë të shtatzënisë duke llogaritur nga dita e parë e ciklit menstrual. Ndërprerja e shtatzënisë bëhet në institucionet shëndetësore nga mjeku specialist obstetër/gjinekolog i licencuar. Termini për ndërprerjen e shtatzënisë caktohet së paku dy ditë pas vizitës së parë.”, bëhet e  ditur në njoftim.

Pas këtyre ligjeve, Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve ka vlerësuar se Ahmeti është shënjestruar pa të drejtë dhe iu bëjnë thirrje organeve kompetente që të sqarojnë rastin.

“Ju kujtojmë se është brenda detyrave profesionale që mjeku obstetër/gjinekolog të kryejë diagnostikimin dhe trajtimin e çështjeve e problemeve shëndetësore të pacienteve. Duke u bazuar në sa u tha më sipër konsiderojmë se anëtari i ShOGjK Dr. Fehmi Ahmeti është shënjestruar pa të drejtë, por kërkojmë nga organet kompetente që sa më parë ta sqarojnë rastin dhe të ndërpritet njollosja profesionale dhe personale e cilido prej nesh”, bëhet e ditur në fund të reagimit.

Ditën e martë në media u raportua se e një e mitur nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht  para dy viteve kur ajo ishte në moshën 16 vjeçare nga profesori SH. XH dhe më pas nga hetuesi policor V. V,  ky i fundit e kishte lënë shtatzënë e pastaj e kishte detyruar që të abortojë. Polici në fjalë është arrestuar, kurse mësimdhënësi SH. XH është ripezulluar nga puna./21Media

Back to top button