Shoqata e Sigurimeve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë me memorandum bashkëpunimi

Memorandumi ka për qëllim mbrojtjen e interesit të kompanive të sigurimeve, promovimin e integritetit, stabilitetit dhe efikasitetit të Industrive të Sigurimit

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (SHSK), Sami Mazreku së bashku me kryetaren e Shoqatës së Sigurueseve të Shqipërisë, Fitnete Sulaj kanë nënshkruar sot në Tiranë një memorandum bashkëpunimi.

Marrëveshja e nënshkruar siç raportohet ka për qëllim mbrojtjen e interesit të kompanive të sigurimeve, promovimin e integritetit, stabilitetit dhe efikasitetit të Industrive të Sigurimit, si dhe vendosjen e formave të bashkëpunimit ndërmjet palëve për të përmirësuar veprimtarinë respektive të interesave që ato përfaqësojnë, mbi bazën e barazisë dhe të paanësisë.

Përmes këtij memorandumi palët do të punojnë së bashku për të identifikuar dhe adresuar asistencë trajnuese dhe teknike për të zhvilluar tregun e sigurimeve në Shqipëri e Kosovë.

Po ashtu, përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit, palët do të zgjerojnë dhe lehtësojnë shkëmbimin e njohurive përmes seminareve, trajnimeve, konferencave, vizitave konsultative të ekspertëve të palëve përkatëse, shkëmbimin e praktikave të mira si dhe dokumentacionit përkatës.

Palët janë dakorduar mes vetë që gjatë ditëve në vijim, të intensifikojnë punët në këtë drejtim me qëllim të uljes së numrit të madh të automjeteve të paregjistruara e të pasiguruara, të cilat i shkaktojnë dëme të mëdha si institucioneve te të dyja shteteve, ashtu edhe Industrisë së Sigurimeve.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku ka njoftuar homologen nga Republika e Shqipërisë se për këtë çështje në fund të muajit korrik do të organizojë një konferencë në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të Institucioneve të Kosovës, Industrisë së Sigurimeve, por edhe nga Shoqëria Civile.

Në anën tjetër, Kryetarja e Shoqatës së Sigurueseve të Shqipërisë e ka përgëzuar Mazrekun për angazhimin e vazhdueshëm që është duke e bërë. Ajo po ashtu i ka ofruar përkrahje të plotë gjatë ditëve dhe muajve në vijim me qëllim të rritjes së bashkëpunimit.

 

Back to top button