Shoqëria civile bën thirrje që të mos vonohet shumë mbajtja e seancës konstituive e Kuvendit

Shoqëria civile bën thirrje që të mos vonohet shumë mbajtja e seancës konstituive e Kuvendit

Ende nuk dihet nëse edhe këtë javë do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, që do t’i hapte rrugë formimit të Qeverisë.

Një gjë të tillë nuk e dinë as përfaqësuesit e koalicionit PDK-AAK-Nisma, ani pse shprehen të bindur se i kanë numrat për themelimin e Qeverisë.

Mirëpo, shoqëria civile bën thirrje që të mos vonohet shumë mbajtja e seancës konstituive e Kuvendit, pas duhet t’i hapet rrugë formimit të Qeverisë, në mënyrë që të funksionalizohen institucionet e vendit.

Sipas Artan Muratit nga KDI-ja, seanca duhet të mbahet më së largu këtë javë, pasi shumë procese kanë mbetur peng i mos themelimit të institucioneve të dala nga vota e 11 qershorit.

“Duke pasur parasysh se konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë proceseve tjera dhe krijimit të Qeverisë do të ishte mirë që sa më shpejt të ishte e mundur presidenti ta thërras ose t’i jap dritën e gjelbër Kryesisë së vjetër nga legjislatura e kaluar për të proceduar me organizimin e seancës konstituive pasi që është humbur shumë kohë edhe me certifikimin e rezultateve dhe vetëm se jemi duke shkuar në vonesa të tjera. Andaj konsideroj se sa më shpejt duhet të thirret kjo seancë dhe kjo javë do të ishte e përshtatshme”, tha Murati.

Murati thotë se vonesa e konstituimit të institucioneve, vetëm sa po e tensionin edhe me shumë situatën politike, dhe kjo u dëshmua javën e kaluar kur deputetë të partive politike përmes deklaratave jo të matura shpërthyen në rrjetet sociale.

Profesori Mazllum Baraliu e quan imediate dhe të domosdoshme konstituimin e Kuvendit sa më shpejt dhe formimit të Qeverisë, në mënyrë që të fillojë menjëherë proceset e mbetura gjysmë. Madje, sipas tij, është urgjente reformimi i sistemit elektoral, që nuk do të prodhonte kaq shumë vonesa.