Shoqëria Civile kërkon nga Qeveria të tërhiqet menjëherë nga kontrata për ‘Kosova e Re’

Shoqëria Civile kërkon nga Qeveria të tërhiqet menjëherë nga kontrata për ‘Kosova e Re’

Balkan Green Foundation (BGF), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) kanë ngritur shqetësime të vazhdueshme mbi themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës (NKEC) dhe kompensimit të stafit të po kësaj ndërmarrje e cila nuk ka kurrfarë funksioni para ndërtimit të TC ‘Kosova e Re’.

“Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës (NKEC), është themeluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 07/47, të datës 15.06.2018. Pas kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për emërimin e Bordit të Përkohshëm të Ndërmarrjes, me nr. 09/48, të datës 21.05.2018. Kurse, me vendimin nr. 02/68 të datës 09.10.2018 Qeveria e Kosovës ka vendosur për nivelin e kompensimit, ku lartësia e kompensimit për NKEC është vendosur të jetë sipas kategorisë së parë të ndërmarrjeve publike, duke u bazuar në pikën 1.1 të vendimit nr. 07/81 të datës 23.03.2016 të Qeverisë së Republikës së Kosovës.”, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Aktualisht, NKEC ka pesë Anëtarë të Bordit dhe një Kryeshef Ekzekutiv. Gjatë këtij viti pritet që të punësohet edhe një Sekretar i Ndërmarrjes dhe një Zyrtar Kryesor Financiar dhe i Thesarit. Në total, të gjithë këta punonjës do të kompensohen me rreth 100 mijë euro në vit, ani pse NKEC nuk do të kryejë asnjë punë deri në vitin 2023.

“Për 4 vite, që është koha deri kur pritet të përfundojë ndërtimi i TC ‘Kosova e Re’, taksapaguesit kosovarë do të paguajnë rreth 400 mijë euro vetëm për stafin e NKEC”, tha Burim Ejupi nga INDEP.

Krijimi i shpenzimeve në një kohë kur garancia për projektin është e domosdoshme të votohet në Kuvendin e Kosovës përbën, ndër të tjera, edhe shpërfillje të autoritetit të Kuvendit.

“Përveç themelimit të panevojshëm të NKEC, shpenzimet nga paratë e taksapaguesëve kosovarë janë skandaloze dhe në shpërputhje me realitetin e një projekti që është në pikëpyetje të madhe. Me këtë, ende pa qenë e qartë e ardhmja e projektit, Qeveria e Kosovës po krijon obligime financiare që shkaktojnë humbje dhe keq-menaxhim të fondeve publike nga buxheti i shtetit.” shtoi Agron Demi nga Instituti GAP.

Në vazhdën e shpenzimeve të njëpasnjëshme, gjatë fillimit të muajit Maj 2019, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) kishte hapur tenderin për “Shërbimet konsulente në formë të inxhinierit të pavarur të Qeverisë dhe konsulentit të pavarur mjedisor dhe social për TC Kosova e Re” në vlerë rreth 4 milionë euro për periudhën 6-vjeçare. Organizatat e lartcekura reaguan në lidhje me këtë çështje dhe po ky tender është anuluar pas opinionit të Agjencisë Kundër Korrupsionit e cila ka konstatuar shkelje të Ligjit të Prokurimit, përkatësisht pjesës që ka të bëjë me rregullat dhe udhëzuesit operativë për prokurim publik.

“Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë të drejtë të krijojë shpenzime për qytetarët e  Kosovës për një projekt që dita ditës po refuzohet nga qytetarët, nga institucionet më kredibile ndërkombëtare, nga partitë politike dhe shoqëria civile. 400 mijë euro të këtyre pagave janë vetëm një pjesë e kostove të mëdha që buxheti ynë do t’i mbulojë nëse jetësohet kontrata për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’. I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet menjëherë nga kontrata për ndërtimin e TC ‘Kosova e Re’ dhe të mos shtojë barrën financiare të saj. I bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës që duke shfrytëzuar mekanizmat e mbikëqyrjes parlamentare, të ndërmarrë masa për të ndaluar rritjen e kostove të implementimit të kontratës deri sa e njëjta të votohet në seancë plenare. Në të kundërtën, çdo ditë e më shumë qytetarët po paguajnë koston për një kontratë dhe projekt për të cilin asnjëherë nuk u pyetën.”, thuhet në komunikatë.

Ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” kap një kosto prej 1.3 miliardë eurosh dhe ka kapacitet prodhimi prej 500 megavat energji elektrike./21Media