Ndahen tre çmimet e para dhe Çmimi Special “Sofra”

Ndahen tre çmimet e para dhe Çmimi Special “Sofra”

Sot u në Drenas mbajt manifestimi tradicional letrar Sofra poetike “Ymer Elshani. Manifestimi u organizua nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport të Komunës së Drenasit në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Kosovës.
Në emër të Komunës së Drenasit manifstimin e përshendeti Shefi i Kabinetit të kryetarit të Komunës, Gani Sylaj, ndërsa tubimin e shpalli të hapur Drejtoresha e Kulturës Flutura Avdiu, shkruan rtv21.tv

Juria në përbërje prej Sheremet Prokshi-kryetar, Selman Mula-anëtar dhe Sadbere Uka, Elshani-anëtare vendosi që Çmimin Special “Sofra” të ia ndajë shkrimtarit Izet Abdyi nga Drenasi me poezinë “Jeta’, çmimin e parë Agim Deskut nga Peja me poezinë “Mi kthe lotët e gëzimit”,  të dytin Rudi Berishës nga Podujeva me poezinë “”Në vend të errësirës të marrim dritën” si dhe të tretin Dren Bujupit nga Drenasi me poezinë “Biri im”.

Fituesi i Çmimit Special “Sofra”, Izet Abdyi për rtv21.tv tha se është një përgjegjësi, por edhe një motiv i madh në rrugëtimin e tij në krijmitarinë letrare. “Për mua ky çmim ka një kuptim te veçantë për faktin që ky manifestim mban emrin e poetit , shkrimtarit dhe ish profesorit tim Ymer Elshani me të cilin kisha nderin që në vitet 90-ta të ishim bashkëorganizatorë të këtij manifestimi.”, u shpreh ai.

Kjo është hera e tretë kur Izet Abdyi, fitoi çmim në këtë ngjarje, ai ishte fitues i çmimit të parë në vitin 2012, e në vitin 2003 e fitoi çmimin e  dytë dhe të tretë. Ai ka shtuar se më nuk do të konkurojë në këtë manifestim dhe do të jetë vetëm si mysafir.

Manifestimi Sofra Poetike “Ymer Elshani” u mbajt në përvjetorin e vrasjes së poetit Ymer Elshani dhe të familjes së tij, në njërën prej masakrave më të mëdha që kryen forcat ushtarake e policore serbe në Komunën e Drenasit, në Poklek./21Media