Shpaloset draft-marrëveshja e Qeverisë për dialogun Kosovë-Serbi

Arifi tregon objektivat kryesore të kësaj marrëveshjeje

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka bërë shqyrtimin e Draft-Marrëveshjes gjithpërfshirëse dhe obligative-ligjore në mes të republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Avni Arifi nga zyra e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpalosur këtë draft-marrëveshje duke përmendur objektivat kryesore të saj.

“Objektivat kryesore të kësaj marrëveshje janë që palët të njohin integritetin dhe sovranitetin e njëra-tjetrës, të adresohen çështjet e pensioneve, të ketë drejtësi për vitkimat e dhunës, të zgjidhen problemet si njohja reciproke, telekomunikimi, energjia, të mundësohet lëvizje e lirë e mallrave që të ketë treg të hapur, të këtë garancë për komunitetet për të drejtën e gjuhëve, feve, të sigurohet anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare. Drafti është dërguar tek të gjithë liderët politik, tek ambasadorët e Quintit, tek udhëheqësit e institucioneve. Ky draft do të inkorporoj edhe sugjerimet e dhëna nga të lartë cekurit”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nga sot procesin e dialogut Qeveria ia delegon delegacionit.

“Këtë proces dhe këtë materie jemi të hapur që ta ketë edhe Presidenti në shërbim dhe institucionet tjera. Ne nuk po i ikim përgjegjësisë si Qeveri, ata mund të llogarisin në neve për çdo kërkesë”, ka theksuar ai.

Një draft të Marrëveshjes Gjithëpërshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Haradinaj e ka prezantuar më 13 dhjetor para ambasadorëve të vendeve të Quint-it. / 21Media 

Back to top button