Sipas KOSID një familje që harxhon rreth 300-400 kWh energji elektrike do të paguaj 30-40% më shumë

Sipas KOSID një familje që harxhon rreth 300-400 kWh energji elektrike do të paguaj 30-40% më shumë

Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) u ka dërguar letër zyrtare anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), në të cilën shpalos qëndrimet në lidhje me propozimin e strukturës së re tarifore.

Në letër shpjegohet se në bazë të kalkulimeve të bëra nga KOSID, del që faturat e rrymës për pjesën e shoqërisë që harxhon më pak energji elektrike do të pësojnë rritje.

“Në bazë të kalkulimeve tona, sipas këtij propozimi, një familje që harxhon rreth 300-400 kWh energji elektrike në një muaj të verës do të paguaj 30-40% më shumë për faturën e energjisë elektrike,” thuhet në letër.

KOSID vlerëson se propozimi i bërë nxit konsumin e energjisë elektrike dhe rrezikon që përveç çmimeve më të larta, t’u shkaktojë qytetarëve edhe kosto të importit të shtrenjtë të energjisë elektrike në kohën e pikut.

Në letrën dërguar ZRRE-së, KOSID, gjithashtu, ka informuar se propozimi dëmton edhe bizneset e vogla dhe të mesme, të cilët në bazë të raporteve të ZRRE-së, kanë një volum të konsiderueshëm të konsumit.
KOSID informon se struktura e re tarifore nuk ofron masa incentive për ato biznese, një pjesë e madhe e të cilave kryejnë aktivitetin e tyre më të lartë biznesor kryesisht gjatë muajve të verës.

“Tarifat e propozuara, në këta muaj të verës do t’u shkaktojë këtyre bizneseve nga 9.09 €/kWh në tarifë të lartë, në 13.88 €/kWh; dhe nga 4.54 €/kWh në tarifë të ultë, në 5.78 €/kWh. Konsiderojmë që së paku është dashur të konsiderohen kostot që kjo do t’i shkaktojë aktivitetit biznesor, të bëhen llogaritje dhe t’u thuhet hapur që në krahasim me muajt e njëjtë të vitit 2016 do të ketë një rritje gjatë muajve të verës,” thuhet në letrën e KOSID.

KOSID konsideron se rruga drejt një tregu të integruar rajonal duhet arritur me një qasje më të balancuar, që nuk dëmton shtresat e ndjeshme të shoqërisë dhe nuk thellon pabarazinë sociale, andaj i bën thirrje anëtarëve të Bordit të ZRRE-së që të marrë parasysh ato familje kosovare që nuk kanë mundësi të paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike ose që kanë investuar në masa të efiçiencës, si dhe bizneset e vogla dhe të mesme që operojnë në vend, dhe të mos ndryshojë strukturën aktuale të tarifave të energjisë elektrike.

KOSID, gjithashtu, ua ka përcjellë Bordit të ZRRE-së analizën e publikuar në të cilën identifikohen ndikimet që struktura e re e propozuar do të ketë për konsumatorët më të ndjeshëm të shoqërisë. Po ashtu, analiza përmban rekomandime konkrete për ZRRE-në./21Media