Gashi ftoi kompanitë e mëdha që të jenë sa më afër klubeve sportive

Gashi ftoi kompanitë e mëdha që të jenë sa më afër klubeve sportive

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) sot ka shpërndarë vërtetimet e para të sponsorizimit në fushën e sportit.

Pas miratimit të akteve normative për sponsorizim, ku sipas tyre parashihen lehtësime tatimore për ato biznese që sponsorizojnë në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, për herë të parë MKRS-ja ka lëshuar vërtetime për klubet sportive.

Ministri Kujtim Gashi ishte i lumtur që më në fund ligji për sponsorizime do të vihet në funksion si dhe ftoi kompanitë e mëdha që të jenë sa më afër klubeve sportive për t’i ndihmuar ata.

“Ka qenë një përkushtim i yni si ministri që nga dita e parë kur e kemi marr drejtimin e Ministrisë, ta vëmë në zbatim ligjin për sponsorizim, në ditët e para kemi hartuar edhe një rregullore e cila ka përcaktuar mënyrën dhe formën e implementimin e këtij ligji dhe gjithashtu kemi themeluar edhe komisione për vërtetimin e sponsorizimit.Sot është një ditë shumë e rëndësishme dhe një ditë e madhe për sportin e Kosovës për kulturën tonë por edhe për rininë sepse përveç financimit nga ana e Qeverisë dhe nga ana e Ministrisë së Kulturës do të kemi edhe formën e sponsorizimit dhe ta vëmë në zbatim”, deklaroi ministri Gashi.

Përfaqësuesi i klubit të volejbollit Luboteni, Gazmend Hoxha, ishte ai i pari që pranoi vërtetimin për sponsorizim. Pas pranimit të vërtetimit ai pohoi se kjo ditë është një ditë shprese për klubet sportive.

“Për neve është një kënaqësi e veçantë. Mendoj që përfituesit kryesor do të jenë rinia jonë, sportistët tanë siç tha edhe Minsitri ata do të jenë ambasadorët e shtetit tonë kudo që po shkojnë edhe po garojnë. Neve na mbetet si princip që të punojmë shumë më shumë dhe të presim rezultate”, pohoi Hoxha.

Ligji për Sponsorizimet është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2017 dhe ky ligj pritet të rregullojë përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve sportive dhe kulturore përmes kompanive të mëdha që dëshirojnë të sponsorizojnë.