Forca të shumta të policisë dhe ambulanca mbërritën në vendngjarje

Forca të shumta të policisë dhe ambulanca mbërritën në vendngjarje

Një shpërthim tritoli la të plagosur shtatë persona mes tyre dhe shënjestrën e dyshuar të atentatit në lagjen “Rus” të Shkodrës.

500 gramë eksploziv ishte vendosur në një biznes vetëm 100 metra larg komisariatit ku po zhvillohej një ceremoni me rastin e 105 vjetorit të Policisë, ndërsa në momentin e shpërthimit zona ishte mjaft e populluar.

Rrezja e eksplozionit dëmtoi dhe disa automjete të parkuara aty pranë ndërsa sipas hetuesve objektivi i atentatit besohet të jetë Lulzim Kulla pronar i dyqanit.

Policia dyshonë se lëvizjet e pronarit të biznesit monitoroheshin nga atentatorët, të cilët sapo kanë parë se ai u afrua në zonë kanë aktivizuar shpërthimin me telekomandë.

Forca të shumta policie dhe ambulanca mbërritën në vendngjarje për t’iu ardhur në ndihmë të lënduarve. Pas transportit për në Spitalin e Shkodrës, mjekët thanë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Lulzim Kulla nuk është një emër i panjohur për policinë. Hetuesit thanë se ai është person me precedentë të theksuar kriminalë kryesisht në gjobëvënien ndaj bizneseve.

Në një rast pas vitit 1997 një tregtar pakice i gazit që nuk pranoi të paguante gjobën u torturua për vdekje. Për ngjarjen e rëndë dyshohej Lulzim Kulla, por në atë kohë askush nuk u arrestua nga policia.

Grupet kriminale të gjobëvënies nuk janë të reja për Shkodrën. Në mars të vitit të kaluar policia shkatërroi një bande të tillë qe përbërë prej 7 anëtarësh.

Sipas Prokurorisë, ata kishin krijuar një strukturë kriminale për të mbledhur me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve shuma parash nga shitësit e tregut të Zdrales dhe të Rrugës së Gjerë të Kirasit.

Sipas akuzës, anëtarët e grupit në çdo fund muaji merrnin nga çdo tregtar shumat nga 1000 deri në 3000 lekë ndërsa numri i tregtarëve që detyroheshin të paguanin ishte mjaft i lartë.