Mbi 1 mijë aplikime në programe të ndryshme të festivalit

Mbi 1 mijë aplikime në programe të ndryshme të festivalit

“Shpresa dhe frika” është tema kryesore e edicionit të Festivalit të Filmit të Animuar Anibar, i cili do të fillojë më 15 korrik e ku do të shfaqen 300 filma të ndryshëm në pesë kinema të Pejës.

Kështu bënë të ditur sot në një konferencë për media zyrtarë të Anibar International Animation, festival ky që sivjet shënon edicionin e 10-të të tij.

Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja bëri të ditur se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme, teksa u shpreh optimist se krahas rritjes së festivalit, do të rritet edhe mbështetja institucionale për Anibar-in.

“Tema e këtij edicioni është ‘Hopes and fears’, do të thotë flet për shpresat dhe frikën. Ideja është që në një kohë kur jemi duke u bërë më indiferentë ndaj ndryshimeve politike, sociale dhe mjedisore, trajtimi i frikës dhe shpresave tona për të inspiruar ndryshimin… Këtë vit kemi pasur mbi 1 mijë aplikime në programe të ndryshme të festivalit, prej tyre janë përzgjedhur një numër i konsiderueshëm prej 300 filmash, 80 prej të cilëve do të jenë në kategori të ndryshme konkurruese, përfshirë çmimin për filmin më të mirë ndërkombëtar, çmimin për filmin më të mirë ballkanik, atë studentor, video-muzikor dhe filmin më të mirë të metrazhit të gjatë”, tha ai.

Koordinatorja për media, Leonora Aliu tha se edhe kësaj radhe janë përqendruar për një program sa më të pasur.

“Programi sivjet do të ketë 300 filma, 15 programe speciale, 4 workshope për  fëmijë, 3 master-klasa dhe mysafirë specialë, regjisorët e njohur të serive të njohura të animuara në botë”, tha ajo.

Anibar International Animation Festival do të fillojë më 15 korrik dhe do të zgjasë deri më 21 korrik.