Ndërtimi i autostradës Shkup – Hani i Elezit

Ndërtimi i autostradës Shkup – Hani i Elezit

Banorët e Bllacës ende nuk e kanë marrë zyrtarisht njoftimin se sa do t’u paguhet toka e shpronësuar nga shteti për ndërtimin e autostradës Shkup – Hani i Elezit. Kështu deklaroi për TV21 Avdi Kovaçi i cili është njëri nga 68 pronarët që duhet t’i shpronësohet toka.

“Ani le ta merr. Unë nuk di gjë. Jo, jo nuk ka mbërri asgjë. Unë s’jam kanë, por tjerët janë kanë. Na s’kemi thënë kurgjë. Ka dikush që e ka ma keq, afër shpijave”, deklaroi Avdi Kovaçi.

Por ai thotë se paralajmërimi i qeveritarëve se toka do të paguhet nga 10 deri në 50 euro për metër katror, për ta është i pamjaftueshëm. Sipas tij, toka duhet të paguhet më shumë se 50 euro.

“10 euro s’është kurgjë. Ne duam 50 euro e lartë. Ne kemi shumë. 1 hekter e gjysmë”, shtoi ai.

Por edhe pse po përflitet çmimi deri në 50 euro, autoritetet në vend për TV 21 thanë se ai ende nuk është definitiv. Ende po realizohen vlerësime dhe po analizohen çmimet e tokave që janë në këtë pjesë. Autoritetet nuk dëshirojnë të kalkulojnë me shuma, sepse thonë mund të dëmtohet procesi. Pasi koeficienti i vlerësimit të tokës  do të jetë përfundimtar, i njëjti do t’u njoftohet bllacalinjve. Në rast se pronarët nuk janë të kënaqur, atëherë ata kanë të drejtë të nisin porcedurë gjyqësore por kthim mbrapa nga punimet nuk ka. Nga Ndërmarrja Publike për Rrugë shtetërore thonë se në mars do të nisin të njëjtat.

Ndërtimet për 2 kilometrat e parë do të realizohen nga kompania “Granit”. Kjo kompani, një ditë para se të nënshkruajë marrëveshjen për 2 kilometra, ka hapur konkurs për punësim të 17 personave. Pronari Zoran Milkovski tha se ka kapacitet të realizojë punimet edhe pse në të njëjtën kohë po punojnë në autostradën Kërçovë – Ohër dhe Shtip – Krupishtë

Në mars gjithashtu do të fillojë edhe rikonstruimi i rrugës aktuale që e lidh Shkupin me Hanin e Elezit, për të cilin raportoi ditë më parë edhe TV21./21Media