Dita e sotme po vlerësohet si ditë historike për Shqipërinë

Dita e sotme po vlerësohet si ditë historike për Shqipërinë

“Nis një ditë historike për Shqipërinë, që për herë të parë merr një rol ndërkombëtar me kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE)”. Kështu u shpreh sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ndodhet në Vjenë, ku do t’i paraqesë Këshillit të Përhershëm të OSBE-së përparësitë e Shqipërisë.

Shqipëria merr sot zyrtarisht kryesimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Në zyrën e kryetarit të OSBE-së në Vjenë, Rama zhvilloi një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, Thomas Greminger.

Para nisjes së ceremonisë së marrjes së kryesimit nga Shqipëria të presidencës së OSBE-së, u bënë fotografitë tradicionale familjare të nisjes së misionit të drejtimit të OSBE; me ambasadorët e misioneve të vendeve anëtare në Vjenë; me shefat e misioneve në terren; me ekipin shqiptaro-ndërkombëtar të misionit tonë.

“Vizioni ynë për kryesinë shqiptare të OSBE-së për vitin 2020 udhëhiqet nga tre objektiva të rëndësishme, përqendrimi në baza duke zbatuar së bashku dhe me mirëbesim, tërësinë e angazhimeve tona politike, ndryshime në terren, qoftë këto në parandalimin e përshkallëzimit të një konflikti, monitorimit të zgjedhjeve ose mbështetjen e reformave, apo përmirësimit të sigurisë dhe prosperitetit të qytetarëve tanë dhe duke vazhduar forcimin e dialogut të frymëzuar nga 30-vjetori i Marrëveshjes së Parisit”, deklaroi dje Rama, ndërsa vizitoi në Vjenë, zyrat e ekipit që do të mundësojë drejtimin e suksesshëm të OSBE-së.