Shkak paketa anti-shpifje

Shkak paketa anti-shpifje

Presidenca e OSBE-së nga Shqipëria vitin e ardhshëm, vihet në rrezik nëse qeveria socialiste miraton paketën anti-shpifje. Ky është qëndrimi që mban eurodeputeti suedez David Lega, i cili paralajmëron madje edhe komplikim të negociatave nëse qeveria nuk tërhiqet.

Pak orë para se paketa anti-shpifje e qeverisë të shkojë për miratim në Kuvend, një paralajmërim i fortë vjen nga një eurodeputet.

Në një postim në twitter, Lega shkruan se nëse ky projektligj miratohet, Shqipëria vë në rrezik kryesimin e OSBE, si dhe do të komplikojë negoaciatat për anëtarësim në BE.

Nëse Parlamenti shqiptar miraton ligjet e reja për median, ai vë në rrezik kryesimin nga Shqipëria të OSBE-së. Gjithashtu, ky vendim do të komplikojë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, rezistenca e fortë nga Partia Demokratike është e mirëpritur”, shkruan ai.

Shqipëria do të marrë kryesimin e radhës së OSBE-së në vitin 2020. Ndërkohë më herët kundër paketës anti-shpifje ka dalë edhe BE dhe OSBE.

Qeveria tha se e kishte rishikuar nismën, duke reflektuar rekomandimet e ndërkombëtarëve, por në thelb ajo kishte mbetur e njëjta.

Edhe shoqatat e gazetareve e kundërshtojnë këtë paketë, si një përpjekje të qeverisë për të kapur median online./oranews