Liderët e Shqipërisë uruan Kosovën për zgjedhjet e 6 tetorit

Liderët e Shqipërisë uruan Kosovën për zgjedhjet e 6 tetorit

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri, Edi Rama i kanë quajtur zgjedhjet e djeshme që u mbajtën në Kosovë një shembull të shkëlqyer të funksionimit të demokracisë.

Meta ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se qytetarët e Kosovës në ditën e zgjedhjeve kanë treguar shembullin më të mirë të demokracisë.

“Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë. Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë! 🇽🇰👏“, ka shkruar Meta.

Ndërsa, kryeministri Edi Rama ka uruar Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në një postim në Twitter, Rama shkruan se zgjedhjet ishin të suksesshme ndërsa uroi edhe kandidatët në për rezultatin.

“Urime Kosovës për zgjedhjet e suksesshme parlamentare! Urime Vetëvendosjes e Albin Kurtit për rezultatin më të mirë. Urime LDK e Vjosa Osmanit për rezultatin e dytë më të mirë. Urime PDK e Kadri Veselit për pranimin shembullor të rezultatit. Sa më e mbarë dita e re për Kosovën”, ka shkruar Rama.

Të dhënat momentale të KQZ-së, tregojnë se deri më tani janë numëruar 95,88% të votave, apo 2442 vendvotime nga 2547 sa kanë qenë gjithsej. Rezultati i fundit tregon se Lëvizja Vetëvendosje është e para me një rezultat 25,81%. Pas saj Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,07%. Partia Dermokratike e Kosovës renditet e treta me 21,17% të votave./21Media