Ankohen banorët shqiptarë

Ankohen banorët shqiptarë

Komunat që udhëhiqen nga kryetarët e komunitetit serb jo që nuk i njohin simbolet shtetërore të Kosovës dhe pavarësinë e saj, por ata po bëjnë edhe diskriminime ndaj shqiptarëve që jetojnë në këto komuna. Banorët shqiptarë të komunës së Graçanicës po ankohen se po kanë vonesa në pajisjen me dokumentet të ndryshme, teksa ata serb thonë të kundërtën.

Ramiz Gashi, pronar i fabrikës të ngjyrave “Relux SHPK”, po ankohet se për të marrë një listë poseduese dhe një kopje plani nga drejtoria e kdastrit në Graçanicë i është dashur të pres një muaj.

Sipas tij, në këtë drejtori janë të punësuar persona të pa përvojë dhe të cilët askush nuk i kontrollon.

“Tek reparti i kadastrit aty po më duket se është një tmerr, nuk e di se ata punëtor a i kontrollon ndokush , a i mbikëqyr ndokush ose a kanë ndonjë shef ose drejtor që merret me ta. Flas për vete kam qenë kur më është dashur të kërkoj një fletë poseduese dhe një kopje plani, kam bërë kërkesë aty dhe i kam bërë të gjitha pagesat e kërkuara nga ta, dhe ata më kanë thënë eja nesër, kur kam shkuar të nesërmen kanë parë që nuk janë disa dokumente ose prej gjeoporalit dhe më është kërkuar të bëjë disa pika me gjeometrin që më është dashur t’i paguaj të gjitha vetë, vetëm për një kopje të planit dhe një fletë poseduese unë jam maltretuar aty një muaj ditë”, u shpreh Gashi.

Ndonëse e mori listën poseduese, Gashi deklaron se u ballafaqua edhe me telashe tjera të cilat po ashtu i shkaktuan vonesa të shumta, pasi që dokumentet kishin gabime të shumta.

“Kur e kam marrë fletën poseduese, janë bërë aq shumë gabime edhe tek numri personal sa që kam pasur probleme tjera deri tek noteri….Pasi mbarova punën me noter më është dashur regjistrimi i hipotekës çka qenë tmerri tjetër që nëpër çdo komunë tjetër me sa di unë kjo është tri deri në pesë ditë punë mund të regjistrohet apo çregjistrohet një hipotekë. Mua më është thënë se më merr kohë pesë ditë kjo punë, mirëpo, unë kam pritur dy javë, më habit fakti që nuk kam qenë vetëm unë”, tha ai.

Por këto vonesa i ka mohuar drejtori i Zyrës Kadastrale Komunale në Graçanicë, Nebojsha Sudimaq, i cili përmes një shkese elektronike, thotë për KosovaPress, se të gjitha kërkesat për listat poseduese u lëshohen aplikuesve brenda 24 orëve.

“Pohimet e disa njerëzve se lëshimi i listave poseduese vonohen, i hedh poshtë në tërësi si qëllimkëqija dhe të pavërteta. Pohoj me përgjegjësi se të gjitha kërkesat që duhet të dorëzohen në një ditë pune, nga ora 9 deri në 14, kryhen brenda 24 orëve dhe iu lëshohen aplikuesve ditën tjetër të punës, duke filluar nga ora 13.00. Për një numër shumë të vogël të kërkesave për lëshimin e listave poseduese (Unë mund të them një nga 50, 60) nuk kryhet brenda afatit 24 orë, vetëm për shkak se palët gabimisht formojnë kërkesat”, thuhej në shkresë.

Sudimaq e ka pranuar se ka gabime në listat poseduese por sipas tij këto gabime nuk bëhet nga komuna e Graçanicës, por nga organet tjera.

“Ka gabime në listat poseduese, të cilat kanë të bëjnë me të dhëna të ndryshme. Më të zakonshmet janë ato që lidhen me numrin “KCID” të futur në vend të numrit personal. Numri i KCID është numri i lëshuar nga ish-administrata e UNMIK-ut, dhe jo do të thotë vetëm një. Regjistrimi i tillë nuk u krye nga KK Graçanica, por nga ish-zyra e misionit civil të OKB-së. Ka gabime të tjera në shkrime, të cilat mund të lehtë të përcaktohen se kush i ka bërë dhe në mbi 90% të rasteve, këto gabime janë bërë gjatë shkrimeve të organeve tjera, jo nga KK e Graçanicës. Të gjitha përmirësimet janë pa pagesë dhe përpunohen sipas afateve të përcaktuara ligjërisht”, thotë Sudimaq.

E në anën tjetër edhe banorët e komuniteti serb në Graçanicë mohojnë se ka vonesa për marrjen e dokumenteve të caktuara nga komuna.

Dragan Arshiq, banor i kësaj komune thotë shkurt se ata nuk kanë vonesa kur duan që të marrin ndonjë dokument të komunë.

“Jo jo…Po more, pa problem”, tha shkurt ky banor serb.

Edhe Dimtrijevic Radosav, banor serb në Graçanicë deklaroi se të gjitha dokumentet që janë kompetencë e kësaj komune mund të nxirren lehtësisht, pa telashe.

“Nuk ka kurrfarë problemi, të gjitha mund të nxirren. Aty janë edhe ekstraktet, listat poseduese, kopjet e planeve dhe të tjera që i takojnë komunës për t’i lëshuar, ndërsa për të tjera nuk e di”, u shpreh ai.