Shqiptarja nga Austria ndihmon gratë në Kosovë

Ganimete Baraktari udhëheq shoqatën “Jeta buron”

Ganimete Bajraktari tash e 20 vite jeton në Austri , është shkolluar atje dhe punon fort rreth projekteve me organizata të ndryshme si në Austri e Gjermani të cilat merren me trajtimin dhe mirëqenjen e personave me aftësi te kufizuara. Po ashtu punon edhe në ngritjen dhe fuqizimin e rolit te gruas në Kosovë.

Në kuadër të programit të mëngjesit në RTV21, u prezantuan projekte konkrete të cilat e pasqyrojnë më mirë punën dhe angazhimin e saj këtu në Kosovë .

Bajraktari  po ashtu ka themeluar edhe shoqatën “Jeta Buron”. Në këtë shoqatë, së fundmi janë organizuar kurse rrobaqepësie për gratë e komunës së Prizrenit, Suharekës dhe këto ditë përfunduan nivelin e parë edhe një grup i grave nga Komuna e Rahovecit.

Ganimete Bajraktari në programin e mëngjesit ka thënë se për të ka qenë eksperiencë e shumë e madhe të arrihet sukses për një kohë të shkurtë. Ajo ka shtuar se qëllimi i saj ka qenë që të realizojë këto kurse me gratë e fshatit të cilat nuk kanë angazhime tjera përpos amvisërisë. Bajraktari ka bërë dallimin edhe në mes të komunave ku ka thënë se në fshatrat rurale femra është me e kufizuar. “Duke marrë parasysh si janë rrethanat se ku jetojnë ku janë rrit e ku janë zhvillu edhe arsimin sa janë arsimu shumica e grave kanë qenë që me 20 vite nuk kanë qenë ën shkollë, kshtu që është shumë vështirë t’i thush edhe hajde provo..ka qenë rasti edhe kur kam shku dy herë të shpija edhe i kam thanë eja eja se do të merr diçka”, ka treguar Ganimete Bajraktari.

Në anën tjetër trajnerja Shkurte Morina,  ka thënë se nuk ka qenë e vështirë për të që t’u shpjegojë grave, por sipas saj ka qenë pak më e vështirë për to. “Unë jam mundu me ata timen t’i ofroj sa ma afër të mos ndihen ashtu të ngushtume se iu ka mungu shoqëria.”, ka thënë Morina, e cila ka shtuar se qe 12 vite është kreatore.

Sa i përket efektit të socilaizimit Bajraktari ka treguar se ky kurs ka ndikuar  që gratë të shoqërohen më shumë. “ Këto gra e kanë një farë stigme… kanë qenë pak të anashkalume në shoqëri, është një sukses i madh aspekti i socializimit, aspekti i vetëbesimit, të kenë vetbesim në vete gratë që mujn me bo edhe gjana tjera” ka thënë Bajraktari.

Reportazhin mbi punën e saj me gratë dhe gjithë bisedën mund ta ndiqni në videon më poshtë./21Media

 

Back to top button