Shqiptarja që po kandidon për deputete në Parlamentin e Cyrihut, flet për eksperiencat e saj

Intervistë ekskluzive me kandidaten shqiptare për deputete në Parlamentin e Cyrihut

Arbela Statovci, 30-vjeçarja nga Prishtina, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, sivjet po kandidon si deputete në Parlamentin e Cyrihut, në zgjedhjet që do të mbahen në muajin mars.

Hapat e parë dhe të vegjël në politikë i filloi qysh nga periudha e gjimnazit, si anëtare e Partisë Liberale. Gjatë asaj kohe, për shkak të angazhimeve të shumta, nuk ka qenë edhe aq aktive. Megjithatë nuk u shkëput nga politika. Arbela për rtv21.tv tregon se kur ka qenë studente në Shkenca të Komunikimit në nivelin Bachelor, ka punuar si gazetare e radios për një vit. Në atë kohë, ndeshet përsëri me politikën dhe siç tha ajo, nevoja për të kontribuar në një të ardhme më të mirë, e shtyu atë të fillojë të merrej me politikë.

“Kështu që kam vendosur që pasi t’i perfundojë studimet, do të jem më aktive për komunën, për kantonin dhe për shtetin zviceran, me motivin më të madh si përfaqësuese e femrave, të cilat ende nuk përfaqësohen si duhet, si dhe e shqiptarëve, sidomos të gjeneratës sime. Jam pranuar në Bordin e FDP-së në Komunë, e cila më ka motivuar dhe më ka propozuar të konkurrojë për deputete në Parlamentin e Zurich-ut.”, tha Arbela për rtv21.tv

Kandidatja për deputete shpreson se do t’i sigurojë votat në zgjedhjet që do të zhvillohen në muajin mars. Mirëpo, sipas saj edhe nëse ndodh e kundërta, nuk do të ndalet me kaq. “Sigurisht shpresoj. Edhe nese nuk e marr numrin e caktuar të votave, kandidatura ime do të jetë fillim i shumë kandidaturave më tutje për tjerat gara politike.”, bëri të ditur ajo.

Arbela, si një ndërmarrëse e re, premton se nëse bëhet deputete do të angazhohet për pengesat burokratike dhe të krijojë kushte optimale për kompanitë e reja në mënyrë që Kantoni i Cyrihut të mbetet tërheqës për ndërmarrësit dhe inovacionet. “Si një ndërmarrëse, arsimi, shkenca dhe inovacioni janë shumë të rëndësishme për mua. Suksesi i Zvicrës bazohet kryesisht në një sistem të shkëlqyeshëm arsimor. Vendet e huaja na kanë lakmi për arsimin tonë fleksibël dhe të orientuar drejt së ardhmes. Është e rëndësishme të vlerësojmë dhe të zhvillojmë këtë.”, tha ajo dhe shtoi se këto nuk janë të vetmet çështje që i zgjojnë asaj interes që të fokusohet në to.

Ndër çështjet tjera, përmendi barazinë në punë, familje, barazia gjinore, të gjitha këto paraqesin shqetësim qendror sipas Arbelës. “Çdo person duhet të jetë në gjendje të vendosë për veten dhe mënyrën se si ata e formësojnë jetën e tyre, qoftë në punë, në familje apo në kohën e lirë. Kemi nevojë per më shumë modele fleksible në treg të punës dhe kuadra të larta si gra ashtu dhe burra, si dhe paga të barabarta për performancë të barabartë.”, bëri të ditur Statovci në një intervistë ekskluzive për portalin rtv21.tv.

Si një femër e përkushtuar, Arbela tha se e ndjen obligim që të japë kontribut për shtetin, që siç tha ajo të ka dhënë shancën të jetosh atë jetë që ke ëndërruar dhe në këtë mënyrë ajo synon t’u zgjat dorën atyre që kanë nevojë. Ajo bëri të ditur se do të vazhdojë të kontribuojë për shoqërinë, pjesë e së cilës janë familja e saj, e pjesë e së cilës do të jenë fëmijët e saj dhe se duhet të punohet për këtë të ardhme të përbashkët.

Arbela, një femër e mbarë e pozitive, theksoi se sa ndjehet krenare për angazhimin e shqiptarëve në të gjitha fushat. Me modesti tha se nuk është e vetmja shqiptare femër që po korr sukses kaq të madh në arenën ndërkombëtare, duke përmendur edhe shembujt e tjerë nga fushat tjera. Megjithatë, e gjitha çka Arbela do është të ketë një lloj sinergjie mes Kosovës e Zvicrës, siç tha ajo të gjitha këto tregojnë çfarë kontributi mund të jap populli i Kosovës, me shtetin, përvojën dhe dijeninë zvicerane. /21Media 

Back to top button