Një shtëpi, të cilën mbase të gjithë do të dëshironin ta kishin

Një shtëpi, të cilën mbase të gjithë do të dëshironin ta kishin

Shtëpia e Erion dhe Edi Azemit është një shtëpi mjaft moderne me rreth 300 m2 të ndërtuar në një pozicion shumë të mirë në fshatin Malishevë të komunës së Gjilanit.

Madhësia e saj është rreth 300 m2 dhe çdo hapësirë brenda saj është e nevojshme për të jetuar. Që në shikim të parë të bie në sy pozicioni ku është ndërtuar shtëpia, pasi që të mundëson një pamje jashtëzakonisht të bukur si dhe privatësi të plotë. 40 m2 nga 500 sa ka oborri i shtëpisë, pronarët i kanë ndarë për pishinën, e cila bën që vera për ta të jetë edhe më e bukur.

Çdo gjë që pronarët kanë investuar në këtë ambient është e menduar mirë. Edhe hapësirat për qëndrim ditor të cilat janë të pozicionuara në atë mënyrë që gjatë pjesës më të madhe të ditës të jenë në hije, përderisa njëkohësisht pronarët mund të shfrytëzojnë edhe rrezet e diellit në shtretërit e vendosur përreth pishinës.

Hapësirat brenda shtëpisë janë rregulluar thjesht, bukur dhe shumë komod. Aty është një ambient se sa më shumë të qëndrosh aq më shumë të pëlqen. Mobiliet e bardha italiane të kombinuara me të kremtën janë zgjedhja ideale për këtë ambient ku laminati cilësor është i kaftë.

Përveç verës, edhe gjatë dimrit nga hapësira për qëndrimin ditor në oborrin e shtëpisë, pamja është e mahnitshme. Përderisa gjatë verës pamjen e rregullon bari i gjelbër dhe pishina, gjatë dimrit është oxhaku që ka sistem francez dhe bora që në Kosovë nuk mungon asnjëherë, transmeton rtv21.tv

Edhe kuzhinën e shtëpisë pronarët kanë preferuar që të kenë me ngjyrë të bardhë dhe funksionaliteti i saj ka qenë qëllim kryesor për këtë familje, prandaj në mes të kësaj hapësire kanë vendosur edhe një ishull.

Ndërsa në katin e dytë të shtëpisë gjenden dhomat e fjetjes dhe një banjo. Thjeshtësia dhe rehatia janë koncepti që kjo familje ka ndjekur në të gjithë shtëpinë, prandaj edhe në dhomat e fëmijëve kanë shkuar me pothuajse të njëjtin koncept të mobilimit dhe ngjyrave, mirëpo duke vendosur një ndriçim më të veçantë.

Për të parë këto dhe më shumë shikojeni reportazhin e më poshtëm të realizuar në shtator të vitit 2016 nga gazetari i RTV21, Abaz Krasniqi në kuadër të të reportazhit për shtëpitë e bukura të Kosovës ”Ma pikturo ëndrrën”./21Media