Reagimi i Malokut lidhur me rezultatet e testit PISA 2018

Reagimi i Malokut lidhur me rezultatet e testit PISA 2018

Kosova nuk ka shënuar përmirësim të madh në rezultatet e testit ndërkombëtar PISA, tri vjet pas testit të parë. Në listën mes 79 vendeve të botës, PISA e ka ranguar Kosovën të tretën nga fundi dhe me një rezultat nën mesataren e vendeve pjesëmarrëse.

Lidhur me këtë rezultat, të publikuar sot në mediat kosovare ka reaguar profesori universitar, Fadil Maloku. Duke shprehur paknaqësinë e tij me këtë rezultat, ai përmes një shkrimi është shprehur se ky rezultat e dëshmon krizën e përgjithshme në cilësinë, siç e ka quajtur ai, të shëmtuar të arsimit në vendin tonë.

Maloku më tutje ka fajësuar të gjithë ministrat e deritanishëm që “asnjëri nuk ka bërë përpjekje për ta reduktuar ndikimin katastrofal qe i shkaktuan militantizmi injorant klanor e partiak sistemit të arsimit…!”.

“1. Ishte mjerim i llojit të dëgjosh sot live në rtk3 arsuetimet e ministrit të arsimit për katastrofën e rirangimit të arsimit kosovar, gjatē kohës sē menagjimit të tij! Tani ky rezultat i sapo ripërsëritur i PISA-së (Programin për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve) e dëshmon më së miri jo vetëm krizën e përgjithshme (do shtoja edhe alarmante ngase për çdo vit po na përsëritet status quo-ja në këtë lëmi) në cilësinë e shëmtuar të arsimit që janë duke “prodhuar” nivelet tona edukativo-arsimore të Republikës. Një krizë kronike do thonim, në nivel kombëtar e shtetërorē, ku përgjegjësit ende nuk janë ndëshkuar. Neve në rast se dëshirojmë të emancipohemi sikurse kombet tjera, na duhet një ndryshim total dhe një qasje tërësisht e re dhe kompatibile me rrjedhat dhe proceset aktuale globale të arsimit.

2. Me këtë rezultat të ripërsëritshëm për ca vite, ne lëre që s’do mund të hyjmë në konkurrencë lojale me vendet evropiane, po as këto që i kemi në fqinjësi! Kjo nënkupton që na ka munguar një plan fizibiliteti, një plan krahasues i shkallës sonë kombëtare të edukimit dhe arsimimit, që ka prodhuar shkallë tejet kompromituese emancipimi në agkalle kombëtare!? Dhe per kete duhet fajsuar gjithe ministrat e gjertanishëm politikë te pasluftes, që asnjeri nga ta nuk bëri sado kudo nje përpjekje solide për ta reduktuar ndikimin katastrofal qe i shkaktuan militantizmi injorant klanor e partiak sistemit të arsimit…!

3. Uroj që qeveria e re, nuk do e reprodukojë edhe me tej mediokritetin edukativo-arsimor që është jo vetëm duke na e kompromituar ndergjegjen tonë kombëtare e shtetërore, por edhe duke na e fundosur mënyrën dhe qasjen tonë për t’u bërë konkurent serioz me vendet dhe shtetet tjera në rajon e me gjerë. Andaj, shtetndërtimi me këto PISA-t e ripërsëritura, ku vetëm na rikonfirmohet analfabetizmi ynë kolektiv, është vetëm humbje kohe.”, ka shkruar sot Maloku.

Testi PISA bën matjen e aftësive të nxënësve 15 vjeçarë në shkencë, lexim dhe matematikë.

Kosova ka marrë pjesë për herë të dytë në këtë test në vitin 2018, ndërsa në PISA-n e vitit 2015 Kosova ishte renditur po ashtu e treta nga fundi në tabelë, atëherë në mesin e 72 shteteve./21Media