Ekipe të Klubit të Futbollit “Vjosa” testuan fushën me lojë futbolli

Ekipe të Klubit të Futbollit “Vjosa” testuan fushën me lojë futbolli

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka përuruar sot stadiumin e futbollit në komunën e Shtimes, me ç’rast u zotua të përkrahë edhe projekte tjera në këtë komunë.

Për këtë stadium, Ministria ka ndarë afro 49 mijë euro e një buxhet të ngjashëm pritet ta ndajë edhe vitin e ardhshëm, kurse komuna e Shtimes ka ndarë pesë mijë euro.

Gashi tha se për këtë vit dhe vitin qe vjen, janë ndarë miliona euro për të investuar në infrastrukturën sportive, e njëherësh të rinjve të Shtimes u premtoi dy projekte të tjera.

“Ne zotohemi se jo vetëm me këtë projekt që po e përurojmë sot, po shumë shpejt besoj do ta përfundojmë edhe projektin e palestrës sportive, por gjithashtu edhe ai zotimi apo kërkesa që patët që Shtimja ta ketë edhe një qendër rinore, për çka jam shumë i gatshëm ta mbështesë, duke e pasë parasysh një komunitet të madh të të rinjve e të rinj të talentuar që ka Shtimja”, tha ai.

Ndër tjera, Gashi foli edhe për sportistët e Kosovës që po konkurrojnë me sportistë botërorë e po sjellin fitore.

Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli tha se ky stadium i ka munguar komunës së Shtimes, dhe shtoi se kjo komunë stadiumin e konsideron si një nga projektet më të rëndësishme.

Ai tha se rol të madh për ndërtimin e këtij stadiumi dhanë edhe bashkatdhetarët, për të cilët tha se po kontribuojnë në ndërtimin e Kosovës.

“Ky projekt sigurisht që nuk do të mund të realizohej me këtë shpejtësi dhe dinamikë pa një bashkëpunim dhe pa një bashkëfinancim të përbashkët të komunës, të Ministrisë së Kulturës. Në theks të veçantë duhet të falënderoj bashkatdhetarët tanë, botën e jashtme të cilët e krijuan mundësinë që ky stadium sot të promovohet”, tha Ismajli.

Ndërsa, kryetari i klubit, njëherësh përfaqësues i donatorëve nga diaspora, Avdi Sadiku u shpreh i privilegjuar të jetë pjesë e këtij projekti.  Ai tha se tashmë ka shpresë që investimet e nevojshme në këtë stadium do të vazhdojnë dhe njëherësh falënderoi të gjithë ata që kontribuuan.

Pas përurimit, ekipe të Klubit të Futbollit “Vjosa” të Shtimes testuan fushën me lojë futbolli.