'Brent' u rrit në 70.27 dollarë për fuçi

‘Brent’ u rrit në 70.27 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës u rritën me 2 për qind sot, me ‘brentin’ që tejkalon 70 dollarë për fuçi pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump kërcënoi të vendosë sanksione ndaj Irakut nëse trupat amerikane detyrohen të largohen nga vendi.

Nafta e papërpunuar e detit verior, ‘brent’ u rrit në 70.27 dollarë për fuçi gjatë natës, deri në 1.67 dollarë ose 2.4 për qind nga e premtja, raporton Reuters.

Nafta e lehtë amerikane WTI shitet për 64,39 dollarë për fuçi, duke u rritur 1.34 dollarë ose 2.1 për qind nga e premtja. Gjatë sesionit të tregtimit, nafta WTI preku në një çast nivelin e 64,44 dollarë, më e larta që nga prilli i vitit të kaluar.

Çmimet e ‘arit të zi’ kështu rritën fitimet e regjistruara të premten, kur ato u rritën më shumë se 3 për qind pas vrasjes së komandantit ushtarak iranian Qassem Suleimani në një sulm ajror amerikan.

Vrasja ka rritur frikën e një konflikti më të gjerë në Lindjen e Mesme që mund të çrregullojë furnizimet e naftës nga rajoni, duke përbërë gati 50 për qind të prodhimit global të naftës.

Analistët parashikojnë që çmimet e naftës do të variojnë nga 65 në 75 dollarë për fuçi në vitin 2020, për shkak të rritjes së rreziqeve për infrastrukturën e naftës në Lindjen e Mesme.

Ndryshe, Parlamenti i Irakut dje miratoi një rezolutë me anë të së cilës kërkohet largimi i trupave ushtarake amerikane nga vendi, pas vrasjes së gjeneralit iranian.