Shtyhet intervistimi i Kadri Veselit në Hagë

Veseli do të intervistohet më 10 dhjetor

Është shtyrë intervisitmi i kryetarit në detyrë i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli ka pasur të udhëtojë nesër në Holandë ku më 4 dhjetor ishte ftuar të intervistohet nga Prokuroria e Specializuar.

Por, nga kabineti i kryetarit të PDK-së, është konfirmuar se kjo intervistë është shtyrë. “Për shkaqe teknike, intervista e kryetarit Kadri Veseli në Hagë është shtyrë për datën 10 dhjetor”, ka thënë, Avni Bytyçi këshilltar politik i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në fillim të muajit nëntor është ftuar të merret në pyetje nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000.

Back to top button