Seanca u shty me kërkesë të avokatit

Seanca u shty me kërkesë të avokatit

Seanca ndaj kryetarit të Komunës së Istogut dhe nënkryetarit të LDK-së, Haki Rugovës është shtyrë me kërkesë të avokatit të tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rugova, avokati Besnik Berisha kërkoi nga Gjykata që seanca e sotme të shtyhet.

“Unë ndërkohë jam angazhu si mbrojtës i të akuzuarit dhe deri me tani nuk i kam pranuar provat dhe shkresat e lëndës, ato sot në sallë të gjykimit mi dorëzoje prokurori i shtetit, e që mbrojtja ka nevojë që ato ti shqyrtojë në mënyre që i mbrojturi im të udhëzohet për deklarim në të ardhmen rreth fajësisë apo pafajësisë”, tha avokati Berisha para trupit gjykues.

“Andaj kërkojë nga Gjykata që të kem kohë të mjaftueshme të përgatitem “, tha tutje avokati Berisha.

Me kërkesën e avokatit Berisha u pajtua edhe prokurori i shtetit.

Për këtë kryetari i trupit gjykues, Syle Lokaj mori aktvendim që seanca të shtyhej.

Seanca e radhës e shqyrtimit fillestar do të mbahet me 5 nëntor 2018.

Rugova po përballet me akuzat për konflikt interesi. Aktakuza ndaj Rugovës është ngritur në prill të këtij viti ndërsa kjo është seanca e parë në këtë rast, për shkak të mungesave të kryetarit të komunës së Istogut.

Haki Rugova dyshohet se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i Kanalizimit Fekal në Fshatin Cerrcë-Lubozhdë- Faza e Parë”./Kallxo.com