Këngëtarët janë pjesë e industrisë që zhvillon më shumë aktivitete në sezone të caktuara, e që njëherësh kanë obligime ndaj shtetit për të hyrat që realizojnë

Këngëtarët janë pjesë e industrisë që zhvillon më shumë aktivitete në sezone të caktuara, e që njëherësh kanë obligime ndaj shtetit për të hyrat që realizojnë

Por, përkundër kësaj, ka prej tyre që nuk deklarojnë të hyrat, posaçërisht gjatë verës kur ka më shumë mbrëmje muzikore. Në anën tjetër është ATK që i ka nën llupë ata dhe paralajmëron ndëshkime ndaj atyre që nuk deklarojnë të hyrat.

Drejtori i ATK-së,  Sakip Imeri, tha se për të zgjidhur këtë problem dhe  në mënyrë që të shmangin humbjet e buxhetit të Kosovës, ATK merr masa ndëshkuese për ata që nuk deklarojnë të hyrat e tyre.

Sipas tij, për të gjetur ata që i shmangen detyrimeve, bëhet krahasimi i të dhënave që marrin nga vendet ku këngëtarët zhvillojnë aktivitete me ato që këngëtarët deklarojnë vetë. Teksa potencoi se sfidë kryesore vazhdon të mbetet qarkullimi i parave kesh te bizneset dhe qytetarët.

“Ajo është një kategori e bizneseve që kanë obligim tatimor për të hyrat që i realizojnë. Ne kemi aktivitete të veçanta posaçërisht gjatë sezonës të verës kur zhvillohen ahengje dhe kur janë prej botës së jashtme prezent më shumë qytetarë dhe ka të hyra më shumë. I marrim informatat prej ku mbahen këto ahengje e pastaj i krahasojmë me të hyrat që i deklarojnë dhe pastaj ku ka mospërputhje ka vlerësime tatimore do të ketë edhe ndëshkime për mos përmbushjen e këtyre detyrimeve”, tha ai.

Ai tha se gjatë vitit 2017-të ka pasur edhe raste kur këngëtarë të caktuar janë ndëshkuar për mos deklarim të të hyrave që i kanë realizuar nëpër mbrëmje muzikore.

“Ka raste ku nuk përputhen të hyrat që i kanë deklaruar dhe ndëshkohen pastaj sipas ligjit. Në momentin që të bëhet një vlerësim, vendosen të dhënat në sistem dhe në mënyrë automatike lindin edhe ndëshkimet për diferencat që nuk i kanë paguar, do të thotë interesi për pagesën me vonesë”, tha ai.

Po ashtu, Imeri tha se resurset e ATK-së për vitin 2018 do të orientohen më shumë në pjesë ku ka shmangie të tatimeve.

Ndërkaq ka edhe prej atyre që janë të përgjegjshëm ndaj obligimeve shtetërore.

Këngëtari Hysni Klinaku bëri të ditur se që nga viti 2009 deklaron me rregull të hyrat nga aktivitetet muzikore.

“Gjatë 2017-s i kam deklaruar, si dhe viteve paraprake. Tatimet i bëj në tri nene, ashtu siç është regjistruar ndërmarrja individuale. Në performim dhe interpretim për mbrëmje të ndryshme dhe organizime familjare, në incizime dhe orkestrime ku punojnë edhe këngëtarë të tjerë tek unë, dhe e treta krijimtaria, komponimet për këngëtarët e tjerë”, tha ai.

Edhe këngëtarja Edona Llalloshi u përgjigjet pozitivisht obligimeve ndaj shtetit.

Menaxheri i saj Rrahman Llalloshi, përmes telefonit ka treguar për KosovaPress se ajo është e rregullt në deklarimin e të hyrave nga profesioni i saj.