“Shuplakë” e re për ekonominë e Maqedonisë

BB ul projeksionin për rritjen e ekonomisë për këtë vit në 1.5%

Banka Botërore e uli projeksionin për rritjen e ekonomisë së Maqedonisë për këtë vit në 1.5%. Me këtë prognozë, praktikisht, Maqedonia është e fundit në rajon. Rritje më të lartë të Bruto Prodhimit të Brendshëm parashikohet të ketë Mali i Zi edhe atë 4.2%, pason Kosova me 4.1%, Shqipëria 3.6%, Bosnja dhe Hercegovina 3%, Kroacia 2.9% dhe Serbia 2.3%. Në raportin më të fundit të tetorit për Evropën dhe Azinë qendrore, rritja ekonomike e Maqedonisë është ulur për 0.9% krahasuar me vitin e kaluar. Optimizëm më të lartë nga ky institucion ndërkombëtar financiar ka për periudhën që pason. Për vitin 2018, parashikohet që rritja ekonomike të jetë 3.2%, ndërsa në vitin 2019, ajo të ngjitet në 3.9%. Në prill të këtij viti, Banka Botërore konsideronte se këtë vit, ekonomia e vendit do të rritej për 2.8%.

“Presionet fiskale kryesore vijnë nga deficiti i lartë buxhetor, nga rritja e borxhit publik, nga përkeqësimi i menaxhimit me financat publike, nga akumulimi i borxheve dhe nga deficiti i sistemit pensional. Ulja e konsumit publik do të mund të ndikonte në krijimin e vendeve të reja të punës dhe në uljen e varfërisë. Nga ana tjetër, rritja më e shpejtë e ekonomisë, do të mund të ndikonte në rritjen e kërkesës së jashtme për prodhimet maqedonase”, thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Ulja e këtillë e projeksionit ka të bëjë me situatën e paqëndrueshme politike në pjesën e parë të këtij viti. Konsumi publik por dhe ai privat, pritet të jenë motorët kryesorë të rritjes ekonomike në periudhën e ardhshme. Nga qeveria ndërkaq thonë se janë tërësisht të përkushtuar në marrjen e masave për rritje ekonomike dhe në krijimin e kushteve të barabarta për të gjithë investitorët. Ministri i financave Dragan Tevdovski, pikërisht nga takimet me përfaqësuesit e Bankës Botërore në Uashington, deklaroi se për ekonominë e vendit pason një periudhë e përmirësimit, sepse prognozat flasin se gjendja e ekonomisë do të përmirësohet edhe në shkallë evropiane dhe botërore.

Në raport thuhet se deficiti buxhetor në vitin 2017 do të mbetet në 3% të BPB-së, por deri në vitin 2019 pritet të ulët deri në 2.2%. Në dy vitet e ardhshme, borxhi publik do të rritet në 55% të BPB-së. Përveç Bankës Botërore, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e uli projeksionin e rritjes ekonomike të Maqedonisë. Si një nga premtimet kryesore parazgjedhore të qeverisë, ishte që në brenda mandatit 4 vjeçar, rritja ekonomike të jetë 5%, një parashikim ky që për ekspertët është i paarritshëm./21Media

Back to top button