A planifikojnë të rikthehen në Kosovë

A planifikojnë të rikthehen në Kosovë

Viteve të fundit si “alarmante” po konsiderohet ikja e profesionistëve mjekësorë nga Kosova të cilët po gjejnë punë jashtë shtetit kryesisht në Gjermani, pasi që ky shtet ka shprehur hapur nevojën për ta.

Bazuar në të dhënat e Odës së Mjekëve të Kosovës për shtatë muaj afër 100 mjekë kanë ikur për në vendet perëndimore.

Sipas të dhënave të prezantuar nga Federata Sindikale e Shëndetësisë për numrin e mjekëve specialistë që kanë ikur nga Kosova, që nga hulumtimi i fundit i bërë në Kosovë (2015) ka qenë mbi 400.

Pse po ikin?

Në mesin e atyre që veprimtarinë e tyre e ushtrojnë tash në Gjermani është edhe një stomatologe, Valentina Sylejmani Canaj e cila aktualisht është e angazhuar me punë në një ordinancë private në Saarbrücken.

Ajo për rtv21.tv. ka treguar se cila ishte arsyeja që e shtyu të kërkojë punë jashtë Kosovës. “Pse vendosa të punoj dhe më tej të specializoj në profilin tim pikërisht në Gjermani janë disa arsye: të gjithë e dimë që një vend si Gjermania ofron kualitet në shumë sfera e sidomos në shkollim, kjo ishte edhe arsyeja kryesore, që puna dhe shkollimi i mëtejshëm të jetë i një kualiteti më të lartë se çfarë ofron vendi im. Duke i parë trendet e marrjes së specializimeve në Kosovë, unë vendosa te mos bëhem pjesë e një gare të pabarabartë konkurrimi. Përparësi dhe një shtysë më tepër për këtë vendim ishte njohja e gjuhës gjermane.”, ka thënë Sylejmani Canaj.

Një vendim të ngjashëm për të lënë Kosovën pas përfundimit të studimeve në Universitetin e Prishtinës e kishte marrë edhe farmacistja Valentina Tredhaku.

Ajo për rtv21.tv ka bërë të ditura arsyet që e çuan drejt këtij vendimi. “Duke e ditur se sa shumë mundësi ke në një shtet si Gjermania, kam pasur shpresën se mund t’ia dalë t’i realizoj ato.”, ka shtuar ajo.

Si është të punosh në Kosovë dhe si është të punosh në Gjermani?

Para pak ditësh Komisioni Parlamentar për Shëndetësi, ka shqyrtuar kërkesat e profesionistëve shëndetësorë për nivelizim të pagave. Në atë takim po ashtu u shpreh shqetësim për dukurinë e ikjes së mjekëve nga Kosova, në kërkim të kushteve më të mira në vendet evropiane.

Si është e rregulluar çështja e pagave në Gjermani kanë treguar këto dy profesioniste shëndetësore kosovare të cilat punojnë në këtë shtet. “Krahasim mund të bëhet, fatkeqësisht dallimet janë të mëdha. Pacientin kosovar tek profesionisti shëndetësor e sjell dhimbja, ku në stomatologji dhimbja është zakonisht stadi i fundit i prishjes së dhëmbit. Për dallim shteti Gjerman e ka rregulluar këtë defekt përmes sigurimeve shëndetësore, e cila i shtynë pacientët në vizita sistematike dhe preventive, gjë që rezulton me një shëndet oral dukshëm më të mirë. Si punë-marrëse në Gjermani gëzoj të gjitha të drejtat e punëtorit, duke filluar prej orarit të rregullt, pushimeve vjetore, sigurimeve shëndetësore dhe pensionale, pagës dinjitoze.”, ka treguar Sylejmani Canaj e cila paraprakisht në Kosovë ka punuar në një ordinancë private në Prizren, punë të cilën e ka konsideruar se ka qenë me fat që e ka fituar.

“Kam pasur fatin që menjëherë pas diplomimit të filloj punën si Stomatologe për rreth dy vite, në një ordinancë private në Prizren. Kur them kam pas fatin, dua të ceki që si një profesionist i ri në Kosovë është shumë e vështirë të inkuadrohesh në profesion, fatkeqësisht shumë kolegë të mi kanë pritur me vite për një vend pune.”, ka thënë Valentina Sylejmani.

Edhe farmacistja Tredhaku e vë në dukje diferencën në mes të dy shteteve si në mënyrën e funksionojnë gjërat në përgjithësi në profesionin e saj. “Ekziston dallim jashtëzakonisht i madh sa i përket mënyrës se si funksionon farmacia (barnatorja) në Kosovë dhe në Gjermani. Puna në farmacitë e Gjermanisë është e bazuar tek Ligji përkatës i cili rregullon çdo çështje lidhur me prodhimin dhe qarkullimin e medikamenteve në Gjermani, dhe po ashtu me po të njëjtin ligj janë të përcaktuara shumë qartë kushtet që duhet t’i plotësojë një barnatore për të ekzistuar si e tillë. Ligji respektohet në masë të madhe ( për të mos thënë 100%, sepse edhe këtu tek-tuk ka shkelje), sepse gjobat janë tepër të larta, në rast të detektimit të mosrespektimit të Ligjit”, ka thënë Valentina Tredhaku.

Ndërkaq sipas saj e kundërta ndodh në Kosovë. Tredhaku këtë e ka arsyetuar e duke potencuar se ligji respektohet shumë pak apo aspak, e nuk ka lënë pa e përmendur edhe çështjen e pagave.
“E them lirisht që shumë barnatore në Kosovë, funksionojnë edhe pa farmaciste. Një gjë e tillë në Gjermani, mund të rezultonte madje edhe me marrjen e licencës se farmacistit përgjegjës për atë barnatore. Në shumë raste në farmacitë e Kosovës personeli nuk është i kualifikuar për punën që kryen. Ka njerëz që kanë studiuar për Ekonomi apo Juridik, dhe punojnë në barnatore, sepse në barnatoret tona nuk është e rëndësishme se sa t’i dinë të këshillosh pacientët lidhur me barnat që u jep, por sa mund të përfitosh të mira materiale nga puna. Përfitimi i të mirave materiale edhe në Gjermani është patjetër i rëndësishëm, por personeli i angazhuar në barnatore duhet të jetë patjetër i kualifikuar, dhe jo të gjitha barnat që ekzistojnë në barnatore mund të shiten pa recetën e mjekut siç ndodh në Kosovë.”, ka theksuar Valentina Tredhaku.

Çka premton Kosova?
Ndryshe para pak ditësh Komisioni për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës ka hartuar një amendament për pagat e mjekëve në Kosovë. Anëtari i këtij komisioni Haxhi Avdyli përmes një statusi në Facebook ka treguar se si do të bëhet kategorizimi i pagave si në vijim.

A kanë plan të kthehen në Kosovë?

Ndonëse thonë se kanë kushte të mira për punë këto dy profesioniste mjekësore kanë pranuar se e kanë synim që të kthehen në Kosovë. “Në Kosovë do të kthehesha, pas një kohe kur ta kem bindjen se kam marrë formim të kënaqshëm profesional në Gjermani dhe me të cilin formim do të mund te jepja një kontribut të kënaqshëm për Kosovën”, ka treguar Tredhaku.

Kurse edhe Valentina Sylejmani Canaj ka ndarë të njëjtin mendim. “Dëshira për me sjellë në Kosovë përvojën dhe disiplinën e punës Gjermane është ëndërr dhe synim i imi, shpresoj që kjo një ditë të mund bëhet realitet. “, ka shpjeguar ajo./21Media