Si ishte ndërmarrësia e grave gjatë vitit 2017?

Sonte në emisionin “Start Up” të RTV 21, temë diskutimi ishe ‘Ndërmarrësia e grave gjatë vitit 2017’

Besian Mustafa, Drejtor i Agjencisë KIESA, tha se ndërmarrësia në vitin 2017 ka arritur një fokus të veçantë sa i përket programeve të Qeverisë së Kosovës, me një fokus më të veçantë tek të rinjtë dhe gratë ndërmarrëse. Mustafa tha se në programet e kësaj agjencie, i diskriminojnë pozitivisht të rinjtë dhe gratë ndërmarrëse. Ai tha se me kërkesë të grave, në muajin korrik, kanë organizuar një panair i cili u ka dhënë hapësirë më të madhe grave ndërmarrëse, si mundësi për promovimin dhe shitjen e produkteve të tyre. Mustafa tha se nuk kanë një program ndërkombëtar vetëm për mbështetjen e bizneseve të grave, por siç u shpreh ai, i diskriminojnë pozitivisht kompanitë që janë në pronësi të grave, shkruan rtv21.tv

Në anën tjetër, Lendita Kastrati, drejtoreshë e Odës Ekonomike të Grave “G7”, tha se në përgjithësi sipërmarrësia tek gratë është dobët e zhvilluar si dhe ambienti i të bërit biznes është mjaft sfidues e posaçërisht për gratë. Kastrati tha se janë bërë hulumtime të shumta të cilat kanë identifikuar se qasja e financimit për gratë është njëra ndër barrierat kryesore ndër to barriera të tjera janë: Korrupsioni, kostoja e taksave të larta dhe kostot administrative.

“Edhe pse kemi një rritje prej kohës kur kemi fillu na me funksionu si dhomë ekonomike, prej 11 për qind që ka ekzistuar në vitin 2013 tani janë të regjistruara rreth 17 për qind të bizneseve në pronësi të grave, analizat e fundit tregojnë se vetëm 10 për qind të atyre bizneseve janë biznese aktive. Janë regjistru si pasojë e numrit të papunësisë së madhe tek gratë që e kemi në vend dhe ndoshta si një shpresë që përmes biznesit do të krijojnë një vend pune. Mirëpo siç duket jo për të gjitha gratë ka qenë me sukses hapja e biznesit të tyre, edhe pse në aspektin individual kemi shumë gra që kanë tregu sukses në zhvillimin e biznesit të tyre, por në aspektin kolektiv ka një ndikim shumë të vogël ekonomik”, u shpreh ajo.

Drejtoresha G7, tha se është ende sfiduese çështja e trashëgimisë së grave, por siç thotë ajo, ende mentaliteti ynë nuk po i ofron mundësi më të lehtë grave që përmes trashëgimisë të marrin më lehtë kredi nëpër banka. Ajo shpreson që në të ardhmen do të ketë më shumë gra që mund të marrin kredi, por njëherit tha se nevojitet një përkrahje më e madhe e promovimit të produkteve të tyre jashtë Kosovës, shkruan rtv21.tv

Arian Zeka, Drejtor i Odës Ekonomike Amerikane, tha se te rasti i grave problemi është më specifik tek rastet e ndërmarrjeve të reja, pra nëse flasim për promovimin e ndërmarrësisë, atëherë këtu paraqiten problemet më të mëdha. Zeka tha se është pozitive që gjatë vitit 2017 flitet më shumë për nevojën e mbështetjes së grave në ndërmarrje, për orientimin e grave në ndërmarrësi edhe në sektorin privat. Duke iu referuar raporteve të Bankës Botërore, Drejtori i OEA-së, tha se përfshirja e grave në tregun e punës mbetet njëra prej brengave më të mëdha.

Ndërkaq Arieta Vula – Pozhegu, drejtoreshë e Shoqatës së Përpunuesve të Drurit, tha se këtë vit në shoqatë kanë pasur disa projekte sa i përket përkrahjes së femrave, ajo tha se ka pasur disa projekte të praktikës meqë rast kanë qenë 160 kandidatë, 160 kandidatë janë shpërnda në 25 kompani të drurit dhe ndër to kanë qenë mbi 25 për qind femra. Sipas saj kjo ka rezultuar si një sukses, pasi që 75 për qind prej tyre kanë vazhduar të punojnë në kompanitë përkatëse.

“Ky është një rezultat, gjithmonë tentojmë që femrat të inkuadrohen dhe në çdo aktivitet që e bëjmë përpiqemi tu japim përparësi. Mirëpo ka hezitim për tu punësu në këtë sektor, sidomos në industrinë e drurit, kjo për shkak ndoshta të mentalitetit, sepse konsiderohet si një punë e vrazhdë apo një punë e vështirë që femra nuk ia del dot, mirëpo në industrinë e drurit ne kemi shumë femra që punojnë në pjesën e qepjes ku ato të cilat kanë njohur bazike, janë të involvume kryesisht tek përgatitja e sofave, karrigeve apo produkteve të tjera”, tha mes tjerash Vula -Pozhegu./21Media

Back to top button