Në vikend mbahet "Bukë e kripë e zemërbardhë"

Në vikend mbahet “Bukë e kripë e zemërbardhë”

Më 20 dhe 21 korrik në kryeqytet do të mbahet edicioni i parë i Festivalit të Gastronomisë, në sheshin Adem Jashari (afër ndërtesës të komunës së vjetër). Në edicionin e parë “Bukë e kripë e zemërbardhë”, do të prezantohen koncepte të ndryshme gatimi nga kuzhinier të njohur, do të mbahen simpoziume, punëtori, promovime të librave, prezantime të produkteve të ndryshme nga shitës vendor.

Drejtori i festivalit, Astrit Panxha, në një intervistë për emisionin “Për ditë të mbarë”, tha se ideja për një festival të tillë lindi nga dashuria e madhe për gastronominë.

E veçanta e këtij festivali është se përveç aktiviteteve të shumta përmes së cilave do të shënohet edicioni i parë i këtij i festivali, do të ketë edhe garë të qebapave të Kosovës.

“Do të kemi edhe garën e qebapave të Kosovës, ku do të shpallim kampionin e qebapave, kush han më së shumti qebapa brenda pesë minutash. Kështu që është një garë interesante, pjesë e së cilës mund të bëhen edhe të gjithë të pranishmit që vijnë aty për aty. Edhe në Facebook do ta shpallim thirrjen për të aplikuar. Në vikend do ta shpallim edhe kampionin e qebapave.”, tha Panxha.

Panxha tregoi se festivali ishte paraparë të mbahej javën e kaluar, por për shkak të temperaturave të ulëta, festivali u shtye për këtë javë dhe tregoi se bileta është 5 euro për tërë ditën.

Ky festival është mundësi e mirë për kompanitë që të promovojnë produktet dhe shërbimet të tyre në veçanti për bizneset e reja. Kjo gjë në të ardhmen do të jetë traditë e festivalit, i cili pritet të kthehet në një takim vjetor të kuzhinierëve dhe adhuruesve të ushqimit, me qëllim kryesor zhvillimin e kulinarisë shqiptare.

Prishtina Gastronomy Festival ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare. Ky festival vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar. ./21Media