Flet komandanti i FSK-së

Flet komandanti i FSK-së

Komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtënant Rrahman Rama, në emisionin “Argument Plus” të RTV21, tregoi se si është organizuar FSK-ja, pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë.

“Në momentin që e kemi marrë informacionin që ka ndodh një tragjedi në Republikën e Shqipërisë, ne kemi kontaktuar me homologun tim, me gjeneralin Kollçaku që është shef i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe kemi marrë informacione për gjendjen, jo në kuptimin real, por me ato informacione që ka pas, ka qenë shumë herët në mëngjes. Në momentin që kemi marrë ato informacione unë kam marrë vendim që njësitet e specializuara sidomos të kërkim-shpëtimit urban i kemi ngrit në gjendje gatishmërie dhe ne kemi vepruar bazuar në kërkesën e tyre, por edhe në të njëjtën kohë, bazu në ligjin për dislokim të forcave jashtë vendit”, ka thënë Rama.

Rama ka thënë se për tri orë kanë qenë të gatshëm dhe kanë filluar rrugën drejt Shqipërisë.

“Në momentin që kemi kaluar kufirin, forcat tona ose njësitë tona kanë qenë nën përgjegjësinë e forcave të armatosura të Shqipërisë”, ka thënë Rama.

Ai tha se është shumë i lumtur me atë që ka dëgjuar prej autoriteteve të Shqipërisë, por edhe popullit të Shqipërisë, për punën e jashtëzakonshme që ka bërë FSK-ja.

“Kjo është bërë fal angazhimit, përkushtimit dhe profesionalizmit të të gjithë djemve dhe vajzave që kanë qenë pjesë e këtij operacioni”, ka thënë Rama.

Shifra e të vdekurve nga tërmeti i së martës në Shqipëri ka arritur në 49, ndërsa të lënduar janë qindra persona./21Media