Si u prit në Prishtinë letra e Ish- Presidentit Bush drejtuar Millosheviqit në vitin 1992?

Skënder Hyseni kujton kohën kur Ish- Presidenti Bush e kishte paralajmëruar Millosheviqin për Kosovën

Roli i ish-presidentit George H. W.  Bush në situatën në Kosovë gjatë viteve të 90-ta, por edhe në botë ishte temë, e cila u diskutua sot në emisionin “Click “në RTV 21.

George H. W. Bush në vitin 1992 sa ishte president i SHBA – së kishte paralajmëruar Millosheviqin se nëse fillon konflikt të armatosur në Kosovë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të përgatitura ta përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbi, përcjell rtv21.tv.

Se si u prit ky reagim i Bushit në Kosovë shpjegoi ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.

“Është moment interesant, është mbase momenti  që ne na ngjalli një optimizëm të pashoq dhe na dha shpresë se ajo që tashmë kishte filluar të ndodhte në Bosnjë , nuk do të fillonte në Kosovë. Unë e kujtoj saktësisht këtë moment m kolegët e mij në QIK me të cilët e kemi pas diskutuar gati gjithë natën çfarë do të thotë kjo për ne, çfarë do të thotë për Kosovën, çfarë do të thotë për të ardhmen. Pra ishte mbase vija e parë e kuqe të cilën e vendoste vija e parë amerikane.”, kujtoi Hyseni.

Ai tutje rekomandoi që ky paralajmërim i Geroge H. W.   Bush duhet të futet si momenti më kritik në parandalimin e një spastrimi etnik, i cili sipas Hysenit ishte planifikuar në detaje.

“Ky paralajmërim kujtoj unë duhet ta ketë ba qeverinë serbe që të hamendësohet dhe të mendohet shumë herë para se të ndërmarrë veprime të tipit që i ndërmori në Bosnjë.”, tha Hyseni.

Ish- Presidenti i Amerikës, Geroge H. W. Bush ka vdekur më 30 nëntor në moshën 94 vjeçare./21Media

 

 

Back to top button